Aleksandër Vuçiç pritet të mbërrijë në Tiranë pasditen e së hënës, në një kohë kur në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, pranë kryeministrisë, Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër nismës ‘Open Ballkan’.

Sipas burimeve nga policia, Vuçiç do të zbresë në aeroportin e Rinasit rreth orës 16:00, ndërsa për të shmangur incidentet, eskortimi i tij do të kryhet nën masa të rrepta sigurie.

Në Tiranë të hënën do të jetë i pranishëm edhe dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ndërkohë, prej mëngjesit të së hënës policia e Tiranës do të kalojë në gatishmëri të përforcuar për tubimin e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Godina e qeverisë, por edhe institucione të tjera, përfshirë parlamentin, pritet të merren në ruajtje sipas një plani masash të detajuar.

Rreth 1 mijë efektivë pritet të jenë në terren për garantimin e mbarëvajtjes së protestës, që sipas Sali Berishës do të mbahet jo vetëm kundër ‘Open Ballkan’, por edhe kundër ‘vjedhjes së tmerrshme’ që u është bërë shqiptarëve nga qeveria aktuale.

Berisha për protestën e nesërme: Do mblidhemi tek selia e PD, më pas marshojmë drejt kryeministrisë

Ndërkohë, ish-kryeministri Sali Berisha, ka njoftuar mbajtjen e protestës kombëtare në orën 16:00.

Në një postim në mediat sociale, Berisha bën me dije se protestuesit do të mblidhen fillimisht në selinë e Partisë Demokratike dhe më pas do të marshojnë drejt kryeministrisë.

Lideri historik i PD shkruan se protesta do të zhvillohet kundër “Mega vjedhjes së inceneratorëve dhe paktit Anti-kombëtar Rama-Vuçiç”. Ndërkohë, sipas procedurave Policia do të marrë në mbrojtje  delegacionet e huaja që do të mbërrijnë të hënën në kryeqytetin shqiptar.

Po ashtu, sipas ligjit policia do të marrë masa gjatë kohës që do të mbahet protesta para Kryeministrisë, ndërsa Garda do të marrë në mbrojtje objektet e rëndësisë së veçantë në Tiranë, sipas protokollit.