Me qëllim rritjen e sigurisë së jetës në rrugë, Policia Rrugore ka shtuar kontrollet duke përdorur mjete që nuk kanë logon e Policisë, dronë, kamera dhe aparate fotografike për të monitoruar çdo shkelje të mundshme.

Kontrollet sigurisht nuk rezultuan të kota. 68 persona u arrestuan, ku 33 prej tyre drejtonin mjetin pa patentë ndërsa 35 të tjerë ishin të dehur.

Ndërkohë, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit, iu ka hequr lejen e drejtimit edhe 84 personave. Shpejtësia është një tjetër element i cili është ndëshkuar nga kontrollet e vazhdueshme të Policisë Rrugore. 398 leje drejtimi janë pezulluar pikërisht për këtë arsye.

Përveç alkoolit dhe shpejtësisë, drejtuesit e mjeteve në Shqipëri janë ndëshkuar kryesisht për:

  • parakalime të gabuara – 2458 persona
  • përdorim të aparatit celular – 1444 persona
  • mosvendosjen e rripit të sigurimit – 590 persona
  • mospërdorimin e kaskës të motomjetet – 512 persona

Policia Rrugore apelon që të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor ndërkohë që kontrollet e shtuara vijnë si pasojë e numrit të lartë të aksidenteve kohët e fundit.

Referuar statistikave të INSTAT për 4-mujorin e parë të 2021-it, numri i aksidenteve rrugore është rritur me 35.6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe nëse ndalemi tek pasojat e aksidenteve rrugore për të njëjtën periudhë numërohen 21 viktima më shumë.

Në muajin maj Parlamenti miratoi disa ndryshime në kodin rrugor që parashikojnë rritjen e gjobave për shkeljet e konsideruara problematike dhe të rrezikshme.