Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, me anë të një ceremonie të posaçme bëri prezantimin e Drejtorit të ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

“Emërimi i zotit Rrumbullaku vjen në një moment të rëndësishëm të transformimit të policisë dhe që në çdo proces transformimi të një organizate kaq të madhe, edhe ky proces ka pasur oscilacionet e veta. Momenti ku jemi nuk mund të kishte një personazh më të mirë se ai”, deklaroi Çuçi, që shtoi se “përveç kritereve ligjore që i plotëson për të qenë drejtues, në gjykimin tim dhe të gjithë personat që jam konsultuar, është nga të paktët funksionarë të policisë që në këto 30 vite ka krijuar një figurë me integritet të lartë moral dhe profesional”.

“Ndihem i nderuar për këtë vlerësim, që më vë përpara sfidave të forta përpara jush dhe partnerëve ndërkombëtarë, besimi që më dhatë mbështetur në karrierën time, gati 30-vjeçare, të përcjellë rezultate të prekshme në sigurinë në vend”, u shpreh drejtori i ri i Policisë.

Sipas Rrumbullakut: “Policia ka nevojë për një frymë të re që e sjellë vetëm gjenerata e re harmonizuar me kontributin e policëve të karrierës. Policia mbart të gjithë kapacitetet për të garantuar shtetin e së drejtës, mjafton që këto kapacitete të promovohen sipas parimit të shanseve të barabarta dhe meritokracisë”.

Kreu i Policisë së Shtetit shtoi se për këtë arsye ai do të zhbëjë çdo ndasi dhe privilegj të pamerituar, në mënyrë që karriera në polici të shihet si përmbushje personale dhe kontribut në familje e shoqëri. “Promovimi i kapaciteteve njerëzore do të jetë kryefjala e drejtimit tim. Tek ne nuk ka vend për personel pa integritet moral dhe profesional, të inkriminuar që bien pjesë e tundimit të korrupsionit”, tha ai.

Rrumbullaku vendosi objektivat e drejtimit të tij, ku evidentohen një reformë ligjore dhe arsimore në të gjitha strukturat, riorganizimi i strukturave për të rritur kapacitetin e hetimit, analizë e të gjitha strukturave për korrupsionin e efektivave dhe hetimi mbi dekonspirimin e operacioneve policore, si dhe rritja e aftësive kundër krimit kibernetik, tema e nxehtë e javëve të fundit.