Promovohet në Veria të Greqisë përzgjedhja poetike e Kristo Tumanidhit, poetit të mirënjohur dhe të përkthyer edhe në Shqipëri me disa vëllime poetike.

Gjithashtu, Kristo Tumanidhi është botues edhe i disa vëllimeve poetike (me haiku) të autorëve tanë si Milianov Kallupi, Nasho Jorgaqi të përkthyera nga poeti Bardhul Toda dhe Haris Kacalidha…

_____

Nën titullin “Poezi të heshtura”, u promovua në Veria të Greqisë poezia origjinale e Kristo Tumanidhit e përmbledhur metaforikisht nën titullin “Poezi të heshtura”, shoqëruar me piktura nga Kosta Evangjelatu.
Pasditen e së shtunës më datë 2 dhjetor 2023 në mjedisin e ngrohtë dhe mikpritës të qendrës kulturore “Jashtë hartës” u bë prezantimi i përzgjedhjes më të më të re poetike të poetit Kristo Tumanidhi, të cilat i referoheshin njëzet pikturave nga krijimet artistike të autorit Kosta Evangjelatu.


Aktiviteti u organizua nga libraria “ILIOTROPIO” dhe botimet Enastron.
Poeti Dhimitris G. Papsteriu në këtë veprimtari, gjatë leximit foli mbi biografitë e diskutuesve, si dhe të poetit Kristo Tumanidhi, ndërsa përgjatë fjalës së tij lexoi disa poezi nga libri.
Krijimtarinë poetike ua prezantoi të pranishmëve poeti Elefterios Korifidhis, duke lexuar poezi nga libri.


Kritiku dhe filologu, kandidat për gradën Doktor, z. Vasilis Petikas, i cili kishte ardhur enkas nga Athina për të marrë pjesë në këtë veprimtari, shfaqi mendimet e tij mbi poezinë e Kristos Tumanidhit, dhe mbi mënyrën e bukur të gërshetimit me pikturat përmes artit pamor të Kostas Evangjelatus, që në të njëjtën kohë, besohet si marrëdhënie midis dy arteve.

“Kjo përmbledhje poetike është shkruar gjatë periudhës mbytëse dhe “të heshtur” të pandemisë, kohë në të cilën Kristo Tumanidhis jo vetëm kërkonte mënyra të reja shprehje rreth asaj ngjarje, por edhe mënyra përmbledhëse të shprehjeve për një nivel të lartë artistik. Duke pasur në dispozicion një seri artesh pamore, ka kapur me shumë finesë ato që i janë përshtatur idesë dhe mendimit të tij, me poezinë e heshtur të pikturave duke i sjellë në këndvështrimin e agonisë ekzistenciale, frikës dhe ankthet që ofrojnë këto përvoja jo të zakonshme, sjellin përjetime thellësisht të ndjeshme artistike të brenda realitetit mbytës urban… Së fundi, ajo që i përcillet lexuesit, është një qëndrueshmëri e vazhdueshme e poezisë së Kristo Tumanidhit, vlera e vetmisë, durimi përtej durimit dhe një lloj filozofie indiferente, e cila shpesh drejton egon poetike si mburojë dhe kujdes ndaj njerëzimit, por edhe si përpjekje qëndrese ndaj forcës së mungesës, edhe pse ky proces të drejton shpesh në britma të heshtura…” – tha ndër të tjera.


Në fund e mori fjalën vetë poeti, i cili, pasi falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij takimi, foli për këtë përmbledhje poetike, dhe si arriti ta konkretizojë në libër.
“Vëllimi i titulluar “Poezi të heshtura”, nisi si një lojë me 2 kapituj… Ishte një lojë personale e cila përfshinte vetëm njërin. Ishte një përpjekje e cila funksionoi për mua së pari si një çlirim i personalitetit tim dhe më pas kaloi në nivel përmbledhës gjatë kohës së mbylljes pandemike.
Duke dashur t’i bëj ballë asaj gjendje të durimit, kërkova nga miku im Kosta Evangjelatu të më dërgojë disa nga punimet e tij të arkivuara. Me anë të tyre, kalova një periudhë kohe e pa përcaktuar, duke pasur para meje punimet frymëzuese të tij. Kështu erdhi në dritë ky rezultat i pa parashikuar për botim, ndërsa sot është kënaqësi kur ka marrë formë botuese në sajë të shtëpisë botuese”… – tha ai, ndërsa në vazhdim foli për njohjen e tij me Janis Ricosin.
“Rëndësi të veçantë për ecurinë time poetike, pati njohja me Jani Ricosin, pranë të cilit mësova mbi sekretet e krijimtarisë poetike.”
Kristos Tumanidhis lindi në vitin 1952, në Pellas, Litharia. Në vitet 1962-1965 jetoi në Nausa, vite nga të cilat i veçon dhe i vlerëson, kur thotë: “Atje rilinda, atje u rritën dhe u zgjeruan horizontet e mia, dhe ndjehem qytetar i Nausës”, ndërsa pas asaj kohe e deri sot, jeton në Athinë.
Ka nisur të merret me poezi që nga viti 1978, kohë kur doli nga botimi përmbledhja e tij e parë poetike. Vazhdon të merret me ese dhe antologji poetike. “Nëse kam arritur diçka në krijimtarinë time, atë ia kushtoj Janis Ricosit, i cili ishte i pari mësues i imi në fushën e krijimtarisë. Pranë tij mora gjithçka munda të marr, me dashurinë, miqësinë dhe kënaqësinë që kishte për të më mësuar.”
Sa i përket ciklit në fjalë, “Poezi të heshtura”, ai tha: “Ishte një material parëlindur në lidhje me pikturën, është thjeshtë një shkak frymëzimi dhe të tjerat rrodhën si burim. Brenda kësaj ndjesie, ka dhe një guxim që nuk është i lehtë për tu realizuar.”


Më tej u kalua në diskutime me të pranishmit, të cilëve poeti u zbuloi projektet e së ardhmes, dhe në fund dha autografe në librat e vëllimit poetik të tij.