Varësia e Gjermanisë ndaj gazit rus shpjegon më së miri qëndrimin e paqartë të Berlinit mbi krizën ukrainase

Motori i ekonomisë evropiane importon mbi 40% të karburanteve dhe 55% të gazit natyror që konsumon, një sasi që pritet të rritet akoma më shume falë gazsjellësit Nord Stream 2

Gazsjellësi i gjatë mbi 1.200 kilometra lidh Rusinë dhe Gjermaninë nëpërmjet Detit Baltik, teksa përshkon edhe shtete të tjerë.

Projekti kushtoi më shumë se 9 miliardë euro, por kompania ruse me pronësi shtetërore Gazprom, nuk ka dhënë ende lejen ligjore për të nisur shpërndarjen e gazit.

Kjo do të ishte një goditje e rendë për arkat e Kremlinit në rast dështimi në firmosjen e kontratës.

Pavarësisht se Uashingtoni dhe Brukseli e kanë vënë në dukje kërcënimin, Berlini heziton të ndalë projektin për të ushtruar presion mbi Moskën.

Këtë vit vendi synon të braktisin përfundimisht energjinë bërthamore duke e zëvendësuar me gaz natyror në tranzicionin e saj drejt energjive të rinovueshme.

Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ka refuzuar të furnizojë me armë çdo palë në konflikt, një parim që ajo e ka shkelur me raste.

Prandaj, kur ministri i Mbrojtjes njoftoi dërgimin e 5,000 helmetave ushtarake në Kiev, pasi Ukraina kërkoi armatime për t’u mbrojtur nga agresioni rus, kjo ngriti shumë pikëpyetje duke e bërë të qartë se nuk do të ketë përjashtime në këtë rast.

Foto ilustruese e Nord Stream që lidh Gjermaninë me Rusinë

Sipas sondazheve, 6 nga 10 gjermanë janë dakord me vendimin për të mos dërguar armë në Ukrainë. Megjithatë shume qytetarë gjermanë e konsiderojnë partinë social-demokrate si pro-ruse.

Marrëdhëniet e mira të social-demokrateve me Rusinë datojnë që në kohën e Luftës së Ftohtë, gjatë së cilës ata kanë qenë shume aktivë në diplomaci dhe vazhduan të ruanin këtë marrëdhënie edhe në fillim të shekullit të ri nën qeverisjen e ish kancelarit Gerhard Shreder, i cili së fundmi është emëruar në Bordin drejtues të kompanisë GazProm.

Kriza në Ukrainë ka sjellë tensione mes social-demokratëve në Gjermani dhe partnerëve të tyre në koalicion, të Gjelbërit dhe Liberalet.

Pasi Kancelari Scholz deklaroi se vendimi mbi gazsjellësin Nord Stream 2 do të merrej ne bazë teknike dhe jo politike, ministrja e Jashtme, ambientalistja Analena Barbok siguroi Bundestagun që një pushtim i mundshëm i Ukrainës nga Rusia do të ndikonte në projektin Nord Stream 2.

Në Gjermani, social-demokratët humbin pikë në sondazhe, duke u renditur pas konservatorëve të CDU-së, jashtë kufijve ka filluar të vihet në dyshim edhe qëndrimi i vetë shtetit gjerman.

Scholz vazhdon të jetë i përkushtuar mbi dialogun.

Pas vizitës të së hënës në Uashington, ai do të shkojë në Kiev dhe Moskë, javën e ardhshme.

Ndërkohë në Evropën Lindore ngrihen pikëpyetje nëse Gjermania është ose jo një partner i besueshëm në përplasjen më të madhe mes Rusisë dhe Perëndimit që nga fundi i Luftës së Ftohtë.