Në një fjalim televiziv në orën 05:55 të mëngjesit me orën e Moskës, Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi një “operacion ushtarak” në krahinën lindore të Ukrainës, Donbas.

Putin tha se Rusia po vepronte për vetëmbrojtje. Ai u bëri thirrje ushtarëve ukrainas të dorëzonin armët. Çdo ndërhyrje nga fuqitë e huaja kundër Rusisë do të ketë përgjigje të menjëhershme, tha Putin.

-Kievi thotë se Rusia ka goditur me predha infrastrukturën ukrainase. Gjithashtu, thotë se ka rrëzuar disa avionë luftarakë rusë, deklaratë që mohohet nga Moska.

-Karvanët me trupa dhe tanke ruse kanë hyrë në Ukrainë nga disa drejtime. Një karvan u fut edhe nga kufiri me Bjellorusinë, në veri të Kievit. Një tjetër nga Krimea, në jug. Gadishulli është gjithashtu pjesë e Ukrainës, por është aneksuar nga Rusia që në vitin 2014.

-Sipas njoftimeve paraprake të paktën 8 ushtarë ukrainas janë vrarë.

-Në Kiev janë krijuar radhë të gjata me makina që duan të largohen nga kryeqyteti. Banorë të tjerë kanë kërkuar strehë në metro.

-Presidenti amerikan Joe Biden nga ana tjetër është zotuar se bota do ta mbajë Rusinë përgjegjëse duke parashikuar humbje të madhe jete nga kjo ngjarje.

-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se blloku qëndron me Ukrainën në këtë kohë të vështirë dhe se do të bëjë gjithçka që duhet që të mbrojë aleatët.

-Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelinski ka deklaruar më herët se pushtimi mund të jetë fillimi i një lufte të madhe në kontinentin europian.

-Ukraina ka shpallur ligjin Marshall. Ministri i Jashtëm, Dmytro Kubela, ka bërë thirrje për sanksione shkatërruese, përfshi edhe përjashtimin e Rusisë nga sistemi swift i transfertave bankare.

-Çmimi i naftës u rrit në 100 dollarë për fuçi, për herë të parë në 7 vite. Monedha ruse, rubla, pësoi zhvlerësimin më të madh ndonjëherë kundër dollarit dhe euros.