Vladimir Putin e pranon për të parën herë publikisht se nuk e përjashton mundësinë e një sulmi ushtarak ndaj Ukrainës, nëse NATO pranon ta anëtarësojë këtë vend.

“Nëse kolegët tanë perëndimorë veprojnë me një qasje agresive, do të ndërmerren veprime ushtarake. Kemi të drejtën e plotë t’i përgjigjemi çfarëdolloj hapi armiqësor”.

Siç ka bërë gjithmonë për të justifikuar veprimet e njëanshme me Ukrainën, shefi i Kremlinit solli sërish në vëmendje bombardimet e NATO-s në ish-Jugosllavi.

“Dua t’ju kujtoj atë çfarë bënë Shtetet e Bashkuara vite më parë për mbrojtjen e sigurisë së tyre edhe pse me mijëra kilometra larg territorit kombëtar. Bombarduan Jugosllavinë. A u vunë sanksione nga Këshilli i Sigurimit? Ku janë Shtetet e Bashkuara ku është Jugosllavia. Ky vend kishte pa dyshim konflikte të brendshme, por kush ua dha të drejtën të sulmojnë e bombardojnë?”

Megjithatë, bombardimet nën komandën e amerikanëve në vitin 1999, u dhanë fund një herë e mirë masakrave të ushtrisë serbe ndaj civilëve në Kosovë dhe territoret e ish-Jugosllavisë. Ndërsa Putin kërkon të shtypë me ushtri vullnetin e lirë të popullit ukrainas për të vulosur orientimin perëndimor.