Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e nisi fjalimin e tij duke uruar Bajramin dhe duke kujtuar se që prej 24 shkurtit nuk kanë mundur të jetojnë në paqe.

Në një videomesazh për Kuvendin e Shqipërisë, ai foli për bombardimet ruse që janë duke marrë jetë të pafajshme, ndër to dhe jetë fëmijësh.

“Dje, myslimanët festuan Bajramin. Ju uroj për këtë festë. Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tonë në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës, një 14-vjeçar ka humbur jetën. Çdo ditë, ukrainasit humbasin fëmijët e tyre. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren që u vra nga një raketë ruse. Në Khrakiv, një e pesta e të gjitha shtëpive është shkatërruar tashmë. Shpesh pushtuesit nuk lejojnë as të varrosim të vrarët. Faleminderit për hapat konkrete që keni bërë për Ukrainën”.

“Mariupoli është shkatërruar plotësisht. Nuk ka asnjë ndërtesë që ka ngelur,” – u shpreh presidenti ukrainas, i cili tha se të tilla skena janë të pranishme në çdo qytet apo fshat të vendit.

“Të moshuarit që i kanë mbijetuar pushtimit nazist thonë se nuk kanë parë mizori të tilla asokohe,” – shtoi Zelenski.

Zelensky shprehu mirënjohjen për Shqipërinë, për mbështetjen që në ditën e parë për Ukrainën dhe tha se qëndrimi i shqiptarëve i kujtonte Nënë Terezën.

“Jam mirënjohës që nuk hezitoni të mbështesni askënd, jeni në anën e lirisë. Faleminderit për mbrojtjen e hapur. Ky qëndrim i juaj, më bën të kujtoj Shën Terezën. Ajo mësoi njerëzit se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqen. Besoj se duke punuar së bashku me gjithë europianët, ne do jemi në gjendje ta ndalojmë këtë luftë”.

Presidenti rrëfeu se Rusia ka një mënyrë të veçantë të të luftuarit në kohë të ftohtë. Ndër të tjera ushtarët i detyrojnë ukrainasit të rrinë të shtrirë në tokë, me këpucë të mbushura me ujë.

Në Kuvend ishte i pranishëm dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodimir Shkurov. Të gjitha tavolinat kishin të vendosur flamuj të Ukrainës, ndërsa të pranishmit u panë të prekur gjatë fjalimit të Zelenskyt për mizoritë ruse.

Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor të cilit Volodymyr Zelensky i drejtohet me një videomesazh.