Homazhe në nder të oficerit të policisë së rënë në krye të detyrës, Saimir Hoxha, mbahen këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve. Aty janë të pranishëm me dhjetëra policë për t’i dhënë lamtumirën kolegut të tyre.

Nderimet për 44-vjeçarin Hoxha pritet që të zgjasin deri në orën 15:00.

Oficeri Saimir Hoxha, 44 vjeç, u vra të martën pasi u qëllua me dy plumba, një në zemër dhe një në qafë, nga Aldi Rama. Ky i fundit u arratis për disa orë, por kur pa që u rrethua tentoi të vetëvritej. Për pasojë mori plagë të rënda në kokë dhe u dërgua në spitalin e Traumës, por ndërroi jetë mëngjesin e sotëm.

Hoxha do të shpallet “Dëshmor i Atdheut”. Këtë e konfirmoi të martën ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi kur tha se po kryhen procedurat përkatëse duke i siguruar atij dhe familjes së tij të gjithë vëmendjen dhe mbështetjen e dhënë me ligj të posaçëm. 44-vjeçari Saimir Hoxha ishte baba i dy fëmijëve.