Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Rama pas protestave që shkaktoi vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.

Kryeministri e bëri te ditur lajmin në komunikimin e tij të parë për këtë ngjarje, duke lënë të kuptohet se e ka pranuar, por duke nënvizuar se ministri i Brendshëm nuk ka asnjë përgjegjësi për aktin e policit të “Shqiponjave”.

“Menjëherë pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, ministri i Brendshëm më ka informuar dhe vënë në dispozicion dorëheqjen e tij. Dhe jo vetëm për të larë gojën, po duke më shpjeguar pse tërheqja e tij nga posti i lartë, ishte rruga e duhur për të personalisht, për mua që i kam besuar atë detyrë dhe për qeverinë e shumicën tonë qeverisëse… Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të efektivit të policisë. As direkt, as indirekt. Por është vrarë një djalë 25-vjeçar dhe është hapur një varr në shpirtin e një familjeje shqiptare, e është krijuar një brengë në shpirtin e një populli të tërë”.

Kërkoi ndjesë në emër të shtetit, pavarësisht se tha se veprimi i efektivit të policisë nuk ka lidhje me misionin e policisë, duke premtuar drejtësi në mënyrë të pavarur e të paanshme.

“Efektivi i policisë ka vrarë një njeri, në mënyrën më të pashpjegueshme deri më tani dhe krejt pa asnjë lidhje me ndonjë mision, operacion apo objektiv të lidhur me aktivitetin e Policisë së Shtetit në atë vend e në atë orë shumë të vonë. Por pavarësisht faktit se vrasja e njeriut është kryer thjesht e vetëm nga një njeri tjetër, arma ishte e shtetit. Prandaj edhe ndjesa i takon shtetit, bashkë me angazhimin e zbardhjes së plotë e të ndëshkimit ligjor të autorit. Autori i ka kaluar menjëherë duarve të drejtësisë dhe me patjetër do të hetohet e do të gjykohet nga organet e drejtësisë, në pavarësi e paanësi të plotë”.

Duke e veçuar rastin e efektivit të forcave “Shqiponja”, Kryeministri tha se s’mund të ketë asnjë krahasim mes sjelljes së policisë sot dhe asaj të qeverisë së mëparshme, duke përmendur dhjetra policë të lënduar në dhjetra protesta të opozitës në 7 vjet.

“Tragjedia e natës së para dy ditëve është një episod krejt i shkëputur, fatal, i dënueshëm e i pafalshëm, por pa asnjë lidhje me frymën dhe punën e Policisë së Shtetit. Kush thotë të kundërtën ka thjesht një opinion të ndryshëm, rëndom politikisht të motivuar, po fatmirësisht nuk ka fakte që të provojë atë që thotë…Policia e Shtetit sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Rezultatet e saj sot nuk kanë asnjë krahasim me dje. Gjendja e rendit dhe sigurisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Sjellja e efektivëve të policisë sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Faktet, shifrat, opinioni i publikut, flasin kokëfortësisht për pamundësinë e këtyre krahasimeve”.

E përsa i përket dhunës, akuzon Presidentin e Republikës si frymëzuesin kryesor të saj.

“Dhe Presidenti i Republikës, që është në fakt prova më ulëritëse e përdorimit disproporcional të forcës së inatit politik e personal në dëm të etikës institucionale dhe vetë ligjit, është i parafundit që duhet të hapë kamaren e gojës për sjelljen e Policisë së Shtetit; jo thjesht sepse është qysh në krye të herës, njëri ndër nxitësit e organizatorët e atyre serialeve të dhunshme që kujtova më lart, as sepse qoftë sa për sy e faqe, nuk e ka thënë kurrë një fjalë të vërtetë solidariteti për efektivat e policisë nën presionin e dhunës, po sepse është njëri ndër shembujt më të këqinj të sjelljes shoqërore e institucionale në historinë e Shqipërisë. Sidoqoftë është i parafundit në këtë rast”.

Të fundit rendit kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, duke iu përgjigjur edhe për akuzat e bëra prej tij për ngjarjen.

“Sepse i fundit që mund të japë gjykime morale e leksione karakteriale, për se si duhet të sillet Policia e Shtetit apo se si duhet të reagojë ministri i brendshëm, pas ngjarjes tragjike të natës së 8 dhjetorit, është kryetari kukull i opozitës, Lulzim Basha. Ai në fakt është shembëlltyra e pafuqisë morale dhe e dobësisë karakteriale, jo thjesht sepse është udhëheqësi i disa revolucioneve të mbetura në tentativë, të cilat të vetmen arritje kanë pasur plagosjen e policëve, as sepse është ndotësi numër dy i Policisë së Shtetit me baltën e pafundme të shpifjeve e të akuzave, pas kutërbuesit numër 1 të historisë së Shqipërisë që ka mbi kokë, ai bashkë me Partinë Demokratike, por sepse është ministri i brendshëm i masakrës së 21 janarit, ku nuk ishte një polic patrulle që vrau një njeri në mes të natës në një rrugicë periferike, në rrethana krejt absurde, po ishte qeveria, kryeministria e kthyer në një bunker, me dhjetra grykë zjarri, që vrau katër protestues krejt paqësorë, kur protesta po shpërndahej – pa llogaritur sakatimin kafshëror të qindra të tjerëve”.

U drejtoi edhe një mesazh forcave të policisë, ndërsa tha se protestuesit e dhunshëm ishin në shesh për llogari të opozitës e Presidentit.

“Prandaj sot dua t’u them të gjithë efektivëve të Policisë së Shtetit, në radhë të parë atyre që edhe mbrëmë u përballën me gurët, me zjarrin e me gojën e pistë të tufës së hienave që donin të shqyenin dritare e dyer institucionesh, në emër të Klodianit po për llogari të katërshes së valltarëve të shpatave e të sherreve, që të ndjehen krenarë për uniformën, për sakrificën, për shërbimin e palodhur ndaj ligjit e vendit”.

Duke iu drejtuar qytetarëve, Kryeministri tha se ai mund të dukej arrogant, i vetëmjaftueshëm, i padëgjueshëm ndaj të tjerëve dhe se edhe ai ka bërë gabimet e tij, por e përfundoi fjalën duke nënvizuar se nuk mban mend një kohë e një qeveri tjetër që përpiqet  të jetojë me sensin e përgjegjësisë qytetare dhe të synojë kuotën e duhur morale, pa i bërë bisht asnjëherë nevojës për reflektim, sidomos në momentet më të vështira, pa u trembur nga nevoja për të kërkuar ndjesë, e mbi të gjitha, pa e ndarë veten nga ndjeshmëria popullore.

“Jo sepse nuk ka rrugë tjetër, po sepse nuk do një rrugë tjetër”.