Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka ka bërë një propozim të ri për të zgjidhur ngërçin e firmave të mbledhura nga Sali Berisha për thirrjen e Kuvendit Kombëtar, për të cilat Lulzim Basha insiston se nuk janë sa duhet dhe jo të personave që duhet të firmosin.

Paloka, duke i ndarë në dy palë, u shpreh se secili prej tyre duhet të gjejë një përfaqësues të besuar të cilët mund të shkojnë në zyrën e tij dhe të verifikojnë me imtësi të gjitha firmat e grumbulluara në “Foltoret” e ish kryeministrit.

“Lidhur me procedurat për zhvillimin e kuvendit të jashtëzakonshëm siç është ky rast. Statuti dhe rregulloret nuk përcaktojnë asgjë, as ku duhen dorëzuar formularët e mbledhur dhe as firmat dhe as bëhet apo jo verifikimi. Do i propozoja dhe i propozoj palëve një zgjidhje që të ishte shteruese dhe të hiqte çdo dyshim me palëve. Statuti nuk parashikon asnjë procedurë dhe palët nuk kanë besim tek njëri-tjetri. Në këtë rast do të propozoja të dyja palëve të caktonin nga një person që mund të ishte nga ata që merren me organizimin e zgjedhjet në PD. Për njërën palë mund të ishte Ivi Kaso ndërsa për palën tjetër Ervin Minarolli, mund të jenë dhe të tjerë. Palët të ulen dhe të eliminojnë hijet e mosbesimit. Të dy palët të caktojnë nga një njeri të besuar të vijnë në zyrën time me listat e delegatëve dhe të bëjnë verifikimin një më një për të gjitha firmat që janë në zyrën time”, u shpreh Paloka para gazetarëve.