Kryeministri Edi Rama falenderoi këtë të diel ambasadoren amerikane Yuri Kim, e cila sipas tij, i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve tona. Sipas Ramës, Kim është përfshirë në mbështetje të kërkesave dhe nevojave të vendit tonë sa i përket mbrojtjes, por edhe drejtësisë.

Kreu i qeverisë foli nga sheshi “Nënë Tereza” aty ku është organizuar një “ekspozitë” e stërvitjes ushtarake “Defender Europe 21”. Rama tha se vizioni i qeverisë dhe përfaqësisë amerikane është tashmë krijimi në vendin tonë i një kapaciteti të ri akademik që do të rrisë burimet njerëzore tek forcat e armatosura.

“Dua t’i bëj një falenderim të posaçëm përfaqësueses së qeverisë së SHBA-së në Shqipërisë, ambasadores e cila me përkushtimin e saj mbresëlënësi i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetje të kërkesave dhe nevojave të vendit tonë qoftë në drejtim të forcimit të mëtejshëm të kapaciteteve të mbrojtjes, qoftë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të drejtësisë. Patjetër që besimi që SHBA ka treguar në vijim tek ky partneritet dhe kjo aleancë e madhe strategjike me Shqipërinë e vogël kulmon me këtë stërvitje ushtarake, “Defender Europe 21” e cila jo rastësisht është stërvitja më e madhe me përfshirjen më domethënëse që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e rajonit tonë. Dua të nënvizoj edhe faktin që ndërkohë edhe vetë kjo shfaqje e bukur apo ekspozitë siç e quajti Ministri i Mbrojtjes për t’u dhënë mundësi qytetarëve që të vijnë dhe vizitojnë nga afër gjithë këtë arsenal nuk do të ishte e tillë sot nëse nuk do të kishte qenë në vijimësi mbështetja konkrete e SHBA për rritjen e vazhdueshme dhe të qëndrueshme të kapaciteteve të ushtrisë shqiptare me mjete dhe logjistikë të fjalës së fundit. Kam shumë besim edhe bazuar në bisedat me gjeneralët që na nderuan me praninë e tyre me hapjen e kësaj stërvitjeje, por edhe me bashkëbisedimin e vazhdueshëm me ambasadorë të SHBA se ne mund të hedhim hapa të tjerë kuptimplotë në rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore të Forcave tona të Armatosura duke krijuar një hapësirë tërheqëse duke materializuar atë thirrje që bëri Ministri i Mbrojtjes për të rinjtë, të cilët gjithnjë e më shumë duhet ta shohin adresën e FA si një mundësi të artë për formimin dhe për jetën e tyre pas shkollimit. Krijimi në Shqipëri i një kapaciteti të ri akademik në funksion të rritjes së kapaciteteve njerëzore të Forcave tona të Armatosura në partneritet me SHBA është objektivi dhe misioni i përbashkët i qeverisë së Shqipërisë dhe i përfaqësisë së SHBA këtu në Shqipëri. Jam shumë falënderues e mirënjohës për të gjithë sa janë përfshirë në këtë proces të transformimit të Forcave të Armatosura dhe kjo stërvitje nuk mbaron me mbarimin e saj në afatin e përcaktuar, por do vazhdojë të influencojë të gjithë ushtarakët tanë. Uroj që miqësia e madhe mes Shqipërisë dhe SHBA të jetë e përjetshëm dhe ne të jemi krah për krah sot nesër dhe përgjithmonë”, tha Rama.