Kryeministri Edi Rama ka falenderuar kreun e qeverisë së Kosovës, Albin Kurtin për pritjen e delegacionit shqiptar në Prishtinë në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Gjatë fjalës së tij në sezonin hapës të kësaj mbledhjeje, Rama u shpreh se është gjithmonë një kënaqësi kur takohet me Kurtin, edhe pse sipas tij, këtë gjë jo të gjithë e besojnë.

“Shprehjen e kënaqësisë për këtë moment, dua ta bëj duke falenderuar përzemërsisht të gjitha ju, por veçanërisht Albinin. Duke e thënë publikisht edhe në sy të të gjithë atyre që na ndjekin, për mirë apo për keq se është një kënaqësi e veçantë edhe pse pak kush e beson kur e them se kur ne takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak. Kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi Rama.

Rama deklaroi se me homologun e Kosovës, Albin Kurti, nuk ka çështje të hapura.

“Ishte një qen aty që lehte, përpara këndimit të himneve. Por, pasi u kënduan, edhe qeni nuk lehu më. Mbase jep një mesazh për të ngjashmit e tij në botën e njerëzve, që kërkojnë të fusin vazhdimisht xixa mes nesh dhe kërkojnë të shikojnë me patjetër çështje të hapura mes meje dhe homologut tim. Nuk ka të tilla sepse ne jemi shumë të hapur dhe çështjet për të cilat ne nuk merremi vesh, kemi kënaqësinë e madhe t’i ndajmë duke u marrë vesh të mos merremi vesh”, tha Rama.