Besnikëria e shqiptarëve ndaj BE-së nuk mund të merret gjithmonë e mirëqenë, ishte mesazhi që Edi Rama i dërgoi kontinentit të vjetër nga Kongresi i partive të majta europiane.

“Ne shqiptarët jemi njerëz shumë besnikë. Ishim të fundit që tradhtuam Perandorinë Osmane edhe kur vetë osmanët vendosën të bënin diçka tjetër. Ishim të fundit që tradhtuam perandorinë sovjetike edhe kur gjithë sovjetikët vendosën që nuk ishte ide e mirë. Do të jemi të fundit që do të tradhtojmë perandorinë europiane edhe nëse BE do të shkrihet, por nuk duam sidoqoftë të merremi për të mirëqenë”, tha Rama.

Ai kërkoi më shumë solidaritet mes të majtëve, të cilët i ftoi të marrin shembull nga e djathta europiane.

“Ka ardhur koha të shohim më në thellësi sesi kjo familje, familja socialdemokrate, ku meqë ra fjala, ka më pak solidaritet në vepra krahasuar me PPE sepse ata të PPE-së e mbështesin njeri-tjetrin verbërisht. Ne këtu në këtë familje duhet të kontrollojmë një herë njeri-tjetrin kaq imtësisht sa ndonjëherë solidariteti nuk ka më kuptim”.

Komuniteti Politik Europian është terreni ku sipas Ramës duhet të shtrihet ky bashkëpunim, pa lënë jashtë vendet jo anëtare të BE-së. Si shembull mori sistemet universitare dhe largimin e studentëve shqiptarë drejt Gjermanisë.

“Kuptoj që është tregu, por kjo duhet të jetë njëfarësoj e ekuilibruar me njëlloj solidariteti në kuptimin që vendet tona duhet të marrin diçka në këmbim. Pra nëse nuk ka më gjermanë të rinj që duan të bëhen infermierë, jemi të lumtur të ndihmojmë, por po kështu duhet të ndihmohemi. Nuk mund të funksionojë vetëm në njërin kah”.

Krijimi i Komunitetit Politik Europian ishte një ide e Presidentit francez Macron, të cilën Rama e ka mbështetur, ndonëse një rezervë e ka. “Unë shpresoj që ky komunitet i ri politik europian nuk është ai djathi delikat francez për të shmangur pjatën kryesore. Por në fakt, të jetë pjata kryesore, jo vetëm për ata që janë BE, por dhe ata që janë vetëm E”.

Edhe kur u pyet për sulmet kibernetike të Iranit, theksin e vuri te solidariteti i kufizuar në fjalë brenda Europës. “Morëm disa deklarata solidariteti ç’ka është gjë e mirë, por deri tani nuk po shohim më shumë se sakaq dhe nuk dua që ta kthej në histori financimesh, por ka të bëjë edhe me financimet”.

Kryeministri e quajti të pabesueshme që Europa nuk ka ende një sistem të përbashkët reagimi për sigurinë kibernetike.