“Lufta me burokracinë dhe afatet është e përditshme, kudo qoftë, Tiranë apo Bruksel, vetëm në Napoli nuk ka burokraci, por për momentin kemi zgjedhur që të bëhemi pjesë e BE-së, sipas Brukselit, por mund të vijë dita që mund të themi edhe ne “po bëjmë si Napoli dhe Brukseli të vazhdojë me burokracitë e veta”.

Kështu është shprehur kryeministri Rama në Krujë, këtë të martë, ku ishte i pranishëm për të prezantuar planin e rijetëzimit të monumenteve të kulturës në prani edhe të ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.

Sa i përket projektit të mbështetur nga BE-ja me grante, Rama u shpreh: “Ata që kanë trashëguar banesa historike me vlera të trashëgimisë kulturore, jemi gati të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, ku qeveria do të financojë projektet e tyre dhe ata do të përfitojnë nga grantet e qeverisë dhe BE-së për të transformuar banesat e vjetra në hapësirë të një aktiviteti ekonomik që do të krijojnë vetëpunësim, por edhe vlerë të shtuar për turizmin”, tha ai.