Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar ashpër duke deklaruar se përpjekjet për të dëmtuar Reformën në Drejtësi nuk duhet të pranohen më.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kim i përgjigjet në mënyrë indirekte Ilir Metës, ndërsa thotë se kërcënimet ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk duhet të pranohen si “normale”, dhe se këto sjellje nuk i përkasin një vendi të NATO dhe që ka hapur negociatat me BE-në.

“Kërcënimet për prokurorët dhe gjyqtarët dhe përpjekjet e tjera për të prishur Reformën në Drejtësi në Shqipëri nuk duhet të pranohen më si ‘normale’. Kjo sjellje nuk i përket një vendi të NATO, që ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe është ulur në Këshillin e Sigurimit të OKB.

Për një kohë të gjatë, të pasurit dhe të fuqishmit kanë besuar se janë të paprekshëm. Tani janë të shqetësuar se mosndëshkueshmërisë së tyre mund t’i vijë fundi. Teksa Reforma në Drejtësi po prodhon gjithnjë e më shumë rezultate, do të bëhet akoma më e qartë se askush nuk është mbi ligjin”, shkruan në Twitter ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Reagimi i Kim vjen pasi sot SPAK njoftoi se po heton Ilir Metën për një denoncim të bërë nga ish-deputeti Halit Valteri dhe përmes një letre të kreut të institucionit Arben Kraja, kërkoi nga KQZ formularin e vetëdeklarimit të ish-Presidentit.

Pas këtij lajmi reagoi ashpër Ilir Meta, duke thënë se “spurdhjaku i partisë ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve në panik”.