Kryeministri Edi Rama në një bashkëbisedim me qytetarët në Lezhë ka folur për blerjen e vaksinave. Rama u shpreh se dhe vendet europiane kanë nisur të shohin për mundësinë e blerjes së vaksinave kineze apo ruse, pasi kompanitë që janë në Europë dhe SHBA nuk arrijnë ti furnizojnë dot.

Lidhur me mundësinë e blerjes nga Shqipëria të vaksinës së prodhuar në Kinë apo Rusi, ai tha se nuk është çështje gjeopolitike, por nuk mund të blihen dot se s’ka në treg të tilla për t’u aksesuar lehtësisht.

“Duket e pabesueshme, por është e vërtetë, duket që kontinenti më i fuqishëm i planetit gjendet në këtë situatë. Siç dukej kur momenti i pandemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi, pavarësisht sa të pasura janë. Bota e zhvilluar ka thyer çdo rekord në shpikjen e vaksinës për COVID. Kjo i dedikohet zhvillimit të shkencës, por këtu jemi në kushtet kur pak kompani, sot janë 4 kompani dhe është gjithë bota që do vaksinën, po të shtojmë dhe kinezen dhe rusen u bën 6.

Nuk jam aspak i bindur se mund të bëhet, por çdo gjë mund të bëhet në këtë Evropë. Një gjë dua të shtoj ka shumë njerëz që mendojnë se mosmarrja e vaksinës kineze dhe ruse është çështje gjeopolitike, nuk është kështu, vaksinat nuk kanë dalë në treg që shko atje dhe i ble. Vaksina nuk ka! Të gjitha janë me sasi shumë të vogla në raport me kërkesën.

Kur Amerika nuk ka vaksina sot për të mundur të thotë që të japë qoftë edhe një dozë jashtë Amerikës, nuk i ka vaksinat stok, prodhon, vaksinon. Nuk është vaksina kineze e dalë në treg dhe të shkojmë që ta blejmë. Nuk ka, lufta që bëhen, për të marrë ato që janë”, u shpreh Rama.