Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim përfaqësuesin e lartë për politikën e jashtme të BE, Josep Borrell, me të cilin diskutoi për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Por jashtë vëmendjes nuk mbeti as lufta në Ukrainë dhe ndikimi në të gjithë Europën.

“Kemi diskutuar mbi shqetësimin e madhe që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Europë dhe jo vetëm, fillimisht në formën e rritjes së çmimeve. Kemi diskutuar patjetër edhe për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit si dhe qëndrimin e Shqipërisë në të njëjtën linjë me BE në raport me Rusinë dhe agresionin rus mbi Ukrainën, por natyrisht pjesë e diskutimit ka qenë edhe ecuria e mëtejshme e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe konkretisht e procesit për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, gjë për të cilën besoj z.Borrell do të flasë vetë. Unë kam përsëritur edhe njëherë se Shqipëria ka zgjedhur këtë pozicion si pozicionin e vetë natyral dhe jo se na e ka kërkuar njeri në Bruksel, Berlin, në Paris apo qoftë edhe në Uashington. Ne jemi aleatë krenar të një aleance të madhe siç është NATO dhe jemi po ashtu europianë krenarë për qenien tonë evropiane dhe shqiptarë që shohim nga Europa derën e të ardhmes tonë. Për të gjitha këto arsye jemi sot në këtë pozicion. Lufta në Ukrainë është një vijë ndarëse mes botës që ne e njohim mirë të mungesës së të drejtave të lirive, të izolimit dhe të dhimbjeve të imponuara nga një regjim autoritar dhe botën që tani kemi sot që patjetër mund të jetë shumë e mirë, dhe në Ukrainë luhet fati i kësaj bote që kemi. Qëndrimi ynë nuk është një qëndrim parimor në raport me një vend dhe një popull tjetër, por është qëndrim jetësor në raport me fëmijët tanë dhe këtë atdhe që e kemi trashëgim nga të parët tanë dhe ku jemi thjesht kalimtarë”.

Kryeministri Rama theksoi se vendi ynë është gati që të ulet në tryezën e bisedimeve për hapjen e negociatave dhe kërkoi nga Këshilli i Europës që të mbajë fjalën. Teksa theksoi se ka pritshmëri nga presidenca franceze e BE-së t’i hapë zgjidhje ngërçit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Shqipëria duhet të ulet në tryezë për të filluar diskutimet për negociatat për anëtarësim. Ne jemi të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve por nuk do ta humbasim aspak asnjë minutë nga ai pak gjumë që flemë, ndërkohë do vazhdojmë ta bëjmë punën. Ndërkohë i takon Këshillit Evropian sa më parë ta bëjnë, në nderin e tyre është se po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos mbajtur premtimet, por tani e kuptojmë që është çështje e një bllokimi mes dy vendeve të tjera, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Presidenca franceze mund ta bëjë këtë në Qershor, por edhe nëse nuk e bën ne këtu jemi prapë edhe presim kur të bëhet. Por nuk presim asnjë sekondë për të vazhduar të njëjtat punë që i kemi bërë”.