Sot hapet provizorisht rruga e Arbrit, me kalim bypass tek tuneli i Qafë-Murrzit. Policia rrugore sqaron për Report Tv se aksi do të monitorohet nga patrulla përgjatë 24 orëve njësoj si rruga e Kombit.

Po ashtu nga sot në këtë aks do të jetë edhe makina inteligjente për çdo shkelje të qarkullimit rrugor, shpejtësi apo parakalim të gabuar. Ky aks konsiderohet me vështirësi qarkullimi për shkak të kushteve atmosferike dhe do të ketë edhe kontrolle për gomat dimërore të cilat kërkohen sipas kodit rrugor përgjatë periudhës tetor-mars.

Balluku tha se rruga po hapet për të lehtësuar kalimin në dimër, dhe theksoi se baypass-i 8.8 kilometra i ndërtuar në tunelin e Murrizit do të mbyllet në rast se ka reshje dëbore. Ky baypass sipas Ballukut është provizor dhe do jetë i hapur deri sa të përfundoj tuneli i Murrizit.

Rruga kalon në gjashtë tunele, pesë prej të cilëve janë ndërtuar, ndërsa pritet të përfundojë tuneli i Murrizit. Rruga e Arbrit ka edhe dy ura, mes të cilave dhe ura e Vashës e cila është më e larta në Ballkan 250 metra e gjatë dhe 158 metra e lartë.

Rruga e Arbrit jo vetëm shkurton distancën e udhëtimit, por do jetë një arterie e zhvillimit ekonomik dhe të turizmit.