Ka nisur këtë të premte mbledhja e përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës. Kryeministri Edi Rama priti homologun e tij, Albin Kurti dhe delegacionin e qeverisë së Kosovës në një prej resorteve në Elbasan.

Ky është takimi i 7 i dy qeverive, por i pari mes dy kabineteve që drejtohen nga Edi Rama dhe Albin Kurti.

Propozimi i Ramës: Të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri e Kosovë

Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, Shqipëri-Kosovë që po mbahet këtë të premte në Elbasan, Kryeministri Edi Rama propozoi krijimin e një abetareje të unifikuar për Shqipërinë dhe Kosovën.

“Ne kemi dakordësuar në qeveri në mbledhjen e fundit që të punojmë që në vitin e ardhshëm që është dhe jubilar për pavarësinë e vendit tonë, të kemi gati Abetaren e unifikuar. Abetarja është një libër themelor për këdo që hyn në rrugën e arsimit dhe prej shumë vitesh tanimë është një libër i cili, bazuar edhe në ligjin e arsimit që ne kemi, njësoj si librat e tjerë është trajtuar si një tekst me shumë alternativa. Ajo që ne kemi dakordësuar është që të kemi vetëm 1 Abetare.

…Me shumë kënaqësi dua që ta ndajmë së bashku këtë objektiv, në mënyrë që nëse biem dakord sot, të kemi një abetare të gjuhës shqipe në Shqipëri në Kosovë, dhe pastaj së bashku këtë abetare unike të gjuhës shqipe ta kemi në të gjithë trojet apo në të gjithë hapësirat ku fëmijët mësojnë të lexojnë dhe të shkuajnë në gjuhën shqipe. Do na duhet një punë cilësore për të bërë, si të thuash një libër të shenjtë laik të gjithë shqiptarëve, që të mbetet edhe si objekt i çmuar në të gjitha bibliotekat e atyre që fillimisht si fëmijë e marrin Abetaren për të mësuar e më pas e kanë si kujtim nga viti i parë i shkollës. Që do të thotë të krijojmë në libër që të jetë edhe nga pikëpamja e obujektit ë veçantë dhe me një vlerë të caktuar”.

Kurti: Të sillemi si diplomatë, por të veprojmë si patriotë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë, ka përkujtuar fillimisht tragjedinë e 2 viteve më parë me tërmetin e 26 Nëntorit. Kurti tha se ka pasur një ndrydhje të dëshirave dhe ndjenjave në Kosovë kur flitet për Shqipërinë dhe kjo ka të bëjë me traumën e ndërrimit të simboleve. Kreu i qeverisë kosovare tha se po të flasësh për bashkim kombëtar të marrin për nacionalist, ndërsa po të thuash se do të bashkohemi në BE, të marrin për diplomat. Prandaj gjatë mbledhjes ai bëri thirrje që palët të flasin si diplomatë, por të veprojnë si patriotë.

“Më lejoni që fillimisht të përkujtoj që sot janë mbushur dy vjet nga tërmeti i tmerrshëm që pati goditur Shqipërinë dhe familjarët e 51 të vdekurve sigurisht që kanë pikëllim e mallëngjim sot. Bashkëndjejmë me ta duke pohuar që dhimbja e tyre është edhe dhembja e jonë. Kjo është mbledhja e 7 e përbashkët e të dy qeverive, por është mbledhja e parë e mija në të cilën marr pjesë si kryeministër i Kosovës. Vitin e kaluar isha kryeministër për 4 muaj. Në këtë javë, këtë vit, janë bërë 8 muaj, kështu që jam duke përparuar. Sa herë që vij në Shqipëri jo vetëm si kryeministër, por si shumë qytetarë të tjerë të Kosovës, kam një ndjesi të veçantë që nuk përshkruhet lehtë.

Me pak fjalë jemi një paçka se me dy dialekte që sa po shkon e po njehsohet falë ndërveprimit në shumë fusha, falë muzikës, artit, sportit, etj. Çfarëdo që po them po analizohet e studiohet mirë se ku desha të dal e çfarë mesazhi po dërgoj, por edhe sikur mos të them asgjë, prapë njëlloj do të ishte pasi edhe ky njësoj do të ishte sepse do thonin që edhe ky është mesazh. Ajo që ndjej sidomos në Kosovë që kaloi shekullin e fundit duke valuar flamurin kombëtar është se ka një lloj ndrydhjeje të dëshira dhe ndjenjave kur flitet për Shqipërinë, njëlloj i represionit të shkaktuar nga trauma e ndërrimit të befasishëm të simboleve që ka rezultuar me një lloj tronditje kolektive. Befas shoqëria në Kosovë, përjetoi një zëvendësim për të cilën nuk u pyet dhe nuk u la të debatohet. Këtë e bën të dhimbshme fakti që nuk është politikisht korrekte fakti të debatohet për të. Pra një kërkesë për të ndrydhur një dëshirë e një mendim. Tani të thuash se jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do ishte marrëzi. Të thuash se jemi të lumtur se jemi dy shtete se kështu jemi më të fortë do të ishte sa teprim, por aq edhe shkurtpamësi. Të thuash se angazhohesh për bashkim kombëtar do të të shquanin për nacionalist, e të thuash se do të bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm kështu që të flasim si diplomatë dhe të veprojmë si patriotë. Si diplomatë jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se mbledhja është në horizontin e integrimit. Integrimi ynë mes shteteve tona është edhe strategjik edhe më tepë, qëllimor. Progresi i marrëveshje duhet të shoqërohet me cilësinë në zbatimin e tyre sepse janë sa me rëndësi ekonomike aq edhe historike. Si patriotë duhet t’i forcojmë dy shtetet tona”, tha Kurti.