Teksa prezantoi skuadrën e kandidatëve për zgjedhjet e 25 Prillit në Durrës, kreu i mazhorancës Edi Rama pati një reagim edhe për Presidentin Ilir Meta. Rama tha se Durrësi dhe Shqipëria nuk mund të jenë peng e Ilir Metës.

“Nuk mund të behët Durrësi dhe Shqipëria peng i Saliut dhe Ilir Metës”, tha Rama.

Rikthimin e Lefter Kokës në Partinë Socialiste, e quajti përfundimtar në partinë e majtë. Sipas kryesocialistit, Lefter Koka ka qenë ura bashkëpunimi dhe jo hendeku në historinë e ndarjes me LSI.

“Vlerë e shtuar në këtë skuadër, për Terin është kthim përfundimtar në shtëpi, e dimë historinë e një ndarje të madhe që ndodhi brenda familjes politike të së majtës dhe më vjen shumë mirë që në këtë histori ndarje bashkimi mes nesh, PS e LSI ka pasur disa njerëz që kanë qenë vijimësisht ura dhe jo hendeqe, të interesuar për të qenë përbashkues e jo përçarës, e mbi të gjitha njerëz që kur gjërat kanë shkuar keq, nuk janë bërë zëdhënës të të keqes, kur LSI  ka ribërë atë që ka bërë disa herë, por këtë herë në formën më brutale, kanë vendosur të zgjedhin jo thjesht PS, por njerëzit e tyre, mbështetësit”.

Një përgjigje pati edhe përse ka zgjedhur Durrësin, për të cilën thotë se rrënjët e tij janë në Vlorë dhe Durrës: “Në fund të kësaj skuadre jam këtu jo thjesht se Durrësi është një zonë ku potenciali i kthyer në zhvillim se do shkojë në një anë tjetër por një anë e rrënjëve të mia është në Durrës. Unë s’mund të kem dy vende në parlament dhe do zgjedh vendin ku do më duan në shumë. Është një garë mes njerëzve të nënës dhe të babës. Do shikoj se kush do më dojë më shumë në këtë zgjedhje”.

Rama u ndal edhe tek kandidatët e PD dhe aleatët e saj, duke i quajtur turp për qytetarët.

“Si mundet që njeriu që përfaqëson ambicien e PD për të ardhmen të jetë Paloka. Për të ndërtuar portin, hekurudhat. Paloka do i bëjë këto, apo për të ngritur zërin për sistemin arsimor, Paloka do ndërtojë lagjen e re në Spitallë me Paloka apo Agron Duka se kjo është histori më vetë që shfaqet e rishfaqet me një parti që e mban na garazh. Ky rri në oborrin e PD”.

Kreu i mazhorancës u ndal edhe tek investimet në qytetin bregdetar për të cilat tha se përveç  projekti për portin turistik të Durrësit, ai në Porto Romano do të shërbejë si një port tregtar. Pas Karavastasë, parku fotovoltaik do të jetë i dytë më i madh në Shqipëri.