Nga selia e Partisë Socialiste, i shoqëruar nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se Njësia Antikorrupsion e qeverisë do të kallëzojë në SPAK kryetarë bashkie që përfaqësojnë Partinë Socialiste.

Gjatë fjalës së tij, Rama bëri të ditur se këta kryebashkiakë “kanë turpëruar Partinë Socialiste”, ndërsa theksoi se ata duhet të ishin vënë nën hetim më përpara nga drejtësia.

“I them Arben Krajës çfarë kërkon nga unë? Çfarë kallëzimi do nga unë? Pse duhet të vijnë kallëzime nga partitë politike? Aq më tepër nga një parti politike në pushtet.

Kallëzimet shkojnë nga Njësia Antikorrupsion dhe do shkojnë të tjera dhe shumë shpejt do të keni kallëzime edhe për figura të Partisë Socialiste nga Njësia Antikorrupsion dhe do ta shikoni, do të keni kallëzime atje në SPAK për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste që kanë turpëruar PS dhe që duhet t’i kishte kapur në përpara drejtësia.

Por ne bëjmë punën tonë, Njësia Antikorrupsion bën punën e vetë, Njësia Antikorrupsion nuk bën punën e SPAK. Po pse duhet të bëj unë kallëzim? Nuk na shkon, nuk ka sens”, bëri të ditur Rama.