Kryeministri Edi Rama zbuloi në një konferencë për shtyp arsyen pse qeveria nuk bën publike kontratën me Pfizer për vaksinën e Covid-19.

“Kontrata me Pfizer është e mbrojtur në të gjithë botën nga sekreti tregtar. Unë kisha dëshirë ta bëja publike, por kontrata është kontratë. Nëse gjeni një vend në BE që e ka bërë publike, ne do të bëhemi vendi i dytë që do ta bëjmë publike këtë kontratë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë foli dje në Kuvend për çështjen e vaksinimit, përpara se deputetët të votonin për marrëveshjen e arritur me kompaninë Pfizer për furnizimin e vendit tonë me dozat e nevojshme. Duke bërë një rezyme të situatës në rajon në lidhje me vaksinimin, Rama prezantoi dhe ambiciet e qeverisë për këtë proces, ku u shpreh se synimi është vaksinimi i të gjitha kategorive brenda 14 muajsh, në rastin më të mirë.

“Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë asnjë vend nuk ka filluar me vaksinimin. Të gjitha vendet kanë parapaguar përmes Covax, një platformë për t’iu dhënë mundësinë të gjithëve të kenë akses te vaksina, por që ende nuk është hapur. Flitet që do të nisë së shpejti. Nga ana tjetër ne kemi ndeshur në vetë të parë vështirësinë e marrëdhënieve bilaterale për shkak sepse ka një element tjetër që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, për të dhuruar apo shitur duhet që patjetër të marrin leje nga Pfizer. Përndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu është e nënshkruar dhe në marrëveshjen që kemi arritur dhe që do ta ratifikojmë në Kuvend. Plani i vaksinimit ka 3 skenarë, më ambiciozi është vaksinimi i të gjitha kategorive në 14 muaj. Skenari i mesëm ka një axhendë 18 mujore dhe i treti 24 muaj. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit më ambicioz”, tha Rama.