Kryeministri Edi Rama tha dje se nuk e ka vendosur se ku do të kandidojë në zgjedhjet e 25 Prillit pasi Vlorën nuk e lë, ndërsa Durrësit i ka një borxh.

Sot, kreu i qeverisë tregoi për çfarë “borxhi” bëhet fjalë. Rama u shpreh se kjo gjë lidhet me çështje të tij personale me këtë qark. Ai tha se qyteti bregdetar ka një potencial të jashtëzakonshëm për t’u shfrytëzuar.

“Sa i përket çështjes së borxhit, kjo lidhet me origjinën time, kujtimet e mia, mua personalisht me Durrësin. Natyrisht lidhet dhe me faktin që Durrësi ka një potencial të jashtëzakonshëm ende për t’u shfrytëzuar dhe kushtet kur Vlora ka bërë shumë përpara, Durrësi duket padrejtësisht sikur është shumë më mbrapa, por nuk është. Dhe ky është borxhi, në sensin personal dhe interesit tonë të përbashkët. Durrësi ka potencialin që të jetë një motor i patjetërsueshëm i Republikës së Shqipërisë”, tha Rama.

Rama tha se Porti i Durrësit mund të kthehet në një nga më të rëndësishmit në rajon.

“Vetëm për ndërtimin do të investohen 1.2 mld Dollarë”. Transformimi i Durrësit sipas Ramës do të jetë gjenerator punësimi.