Përmes një letre zyrtare të dërguar Ministrisë së Jashtme, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony J. Blinken ka falënderuar Shqipërinë për angazhimin e saj për strehimin e refugjatëve afganë në vendin tonë, pas rimarrjes së pushtetit nga ana e talibanëve.

“Në emër të Departamentit të Shtetit, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen tonë më të thellë Republikës së Shqipërisë që ishte vendi i parë që ofroi një “parajsë të sigurt” për afganët e rrezikuar dhe për zemërgjerësinë e kurajën që kanë treguar njerëzit tuaj gjatë operacioneve të NATO-s në Afganistan”, shkruan ndër të tjera sekretari i Shtetit amerikan.

Për Blinken, “trupat shqiptare ndihmuan në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe të sigurt për forcat tona, si dhe për popullin afgan. Prania e tyre ka bërë të mundur që Aleanca e NATO-s të kryejë operacionet e saj, t’u mundësojë vajzave të reja ndjekjen e shkollës, si dhe kanë bërë më të sigurt jetën e përditshme për shumë afganë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë thellë marrëdhënien tonë të ngushtë me Shqipërinë dhe mbetemi besimplotë në vazhdimin e këtij partneriteti strategjik për avancimin e interesave tona të përbashkëta”.

Në misionin “Resolute Support Mission” në Afganistan, Shqipëria ka dislokuar gjatë viteve rreth 4 mijë ushtarë.