Në 75-vjetorin e largimit të misionit amerikan nga Shqipëria, që shënoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike midis Uashingtonit dhe regjimit komunist, ambasadorja amerikane, Yuri Kim, mori pjesë në një ekspozitë të dedikuar në sheshin Skënderbeu, ku ritheksoi pozitën e aleatit kyç të SHBA-së ndaj shqiptarëve.

“Shtetet e Bashkuara nuk janë lëkundur kurrë nga ajo pozitë, besonim se e meritonit të ishit të lirë sepse jeni miqtë dhe partnerët tanë, pavarësish nga çfarë mund të ndodhë brenda dhe jashtë Shqipërisë, kjo pozitë nuk ka për të ndryshuar”, ishin fjalët e saj gjatë përurimit.

Ambasadorja foli për arsyet historike të ditës së sotme, dhe rëndësinë e mesazhit që ka qëndresa kundër regjimit. “Pas përfundimit të luftës, një mision vëzhguesish amerikanë ishte dërguar për të parë mundësinë e rikthimit të marrëdhënieve, por qeveria komuniste i sulmoi aq ashpër sa ata ikën në vitin 1946 për mos t’u rikthyer më. Diktatura filloi ta mbyllë vendin, duke mbyllur kufijtë dhe duke ndërtuar bunkerë kundër pushtime imagjinare. Regjimi nuk ishte i kënaqur thjesht me mbylljen e kombit, donin ta mbyllnin edhe fizikisht dhe shpirtërisht, duke persekutuar njerëzit”, deklaroi Kim.

Sipas saj, “është shumë e rëndësishme që edhe gjeneratat e reja ta mësojnë këtë. Pata mënyrë të vizitoja burgun e Spaçit dhe të shihja çfarë ishin kampet e përqendrimit. Është një histori brutaliteti, por edhe një histori e qëndresës dhe dinjitetit. Dhe është një histori që ende jeton në shumë prej atyre që ndodhen sot këtu, sepse familjarisht ose edhe vetë personalisht kanë qenë të persekutuar. Demokracia që kemi sot mund të mos jetë perfekte, por është rezultati i gjakut dhe djersës të gjithë atyre që luftuan, është diçka që të gjithë duhet të mbrojmë”.