Pas gati një viti pasi Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u bashkuan për nismën e Shengenit Ballkanik, Kosova do të marrë zyrtarisht ftesën për t’u bërë pjesë e kësaj iniciative.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev njoftoi sot se do të takohej me Kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç më 30 tetor, duke shtuar se me atë rast ata do të ftonin Kosovën të bashkohet me nismën rajonale “mini-Shengen”.

Edhe pse kryeministri Rama nuk ka bërë publik asnjë detaj në lidhje me këte zhvillim, Zaev thotë se përmirësimi i bashkëpunimit më të gjerë rajonal do të jetë arsyeja që ai të takohet me dy udhëheqësit këtë të premte.

“Në vendin tim, thuhet se ne nuk zgjedhim fqinjët tanë, por ata janë të parët që vijnë në ndihmë. Prandaj, ne presim që Kosova të bashkohet me nismën rajonale, në mënyrë që karakteri i saj gjithëpërfshirës të jetë një përparësi për rajonin, pavarësisht nga çështjet e hapura politike “, deklaroi  Zaev.

Kryeministri shtoi se zbatimi i katër lirive, lëvizja e njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, përmes kësaj iniciative është në interes të të gjithë rajonit dhe kjo do të mundësojë integrimin e saj më të shpejtë në Bashkimin Europian.

“Ne presim që Kosova të bashkohet me këtë iniciativë të bashkëpunimit rajonal të udhëhequr nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia. Të Premten e ardhshme, unë do të kem një takim me Presidentin Vuçiv dhe Kryeministrin Rama për t’i dërguar zyrtarisht ftesën Kosovës ”, përfundoi Zaev.

Ideja e “mini- Shengenit Ballkanit” u konkretizua me takimin e udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut por Kosova ka refuzuar një vit rresht për të mos u përfshirë në asnjë prej proceseve që u drejtuan kryesisht nga kryeministri Edi Rama.

Vetë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të shprehej në një nga daljet e tij publike se kjo iniciativë rajonale ishte e pakuptimtë aq kohë sa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Por pas marrëveshjes së nënshkruar me Presidentin Donald Trump, Avdullah Hoti ka të ngjarë t’i thojë “po” Ramës, Vuçiç dhe Zaevit.

“Të dy palët do të bashkohen në zonën “mini-Shengen” të njoftuar nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019 dhe do të shfrytëzojnë plotësisht përfitimet e saj”, thuhet në marrëveshjen Serbi- Kosovë.

Tre liderët ballkanikë, k diskutuan mundësitë e lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.Kryeministri Rama është shprehur se zbatimi i mini- Shengenit Ballkanik sjell dobi pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht.

Edhe pse ka modele ekzistuese që e rregullojnë këtë proces si Marrëveshja CEFTA, sipas njohësve të mirë të rajonit, koncepti i hapjes së tregjeve dhe kufijve  sot po përkrahet nga vendet perëndimore dhe se në fund të gjithë kësaj nisme mund të prodhohet edhe një proces pozitiv. Sa kohë që këtij procesi tanimë i është bashkuar Mali i Zi dhe së fundmi edhe Kosova me firmën e saj. Së paku në letër… E ndoshta në të ardhmen me një draft material substantial, shoqëruar me një stabilitet të brendshëm rajonal.