Nga Ben BLUSHI

Duke shkuar në Pogradec për të prezantuar romanin “Komploti” i thashë botueses sime se, nëse në takim do vinin më shumë se 20 veta, do isha shumë i kënaqur.

Dje ishte dita më e ftohtë e vitit dhe të dilje nga shtëpia për të takuar një shkrimtar që tregon se cdo ndodhi pas 20 vitesh dukej e paarsyeshme. Liqeni ulërinte, nga qielli vareshin disa re që mund të lëshonin dëborë në cdo moment, era tundte makinat dhe rrugët ishin bosh.

Kur hyra në Pogradec m’u duk sikur isha në një qytet të zbrazur. Vetëm oxhaqet e mbushura me dru lëviznin pak nga tymi që shpërndahej nëpër re.

Si gjithmonë isha pak më herët dhe shkova të bëj disa fotografi buzë liqenit, në rrugën që zgjatet deri në Volorekë. Ishte e pamundur. Dora lëvizte nga era dhe aparati im nuk qëndronte dot në një vend. Përveç një burri që ecte vetëm në lulishte nuk kishte asnjeri. Nuk bëra do më shumë se tre shkrepje.

Hodha mbi kokë kapuçin e xhupit tim, u mbërtheva fort dhe u ktheva në makinë të ngrohem. Kisha 10 vjet që nuk kisha provuar të ftohtë të tillë.

Megjithatë në orën 5 fiks salla ku do mbahej takimi u mbush. Shumë njerëz rrinin në këmbë dhe për gati dy orë pata kënaqësinë të shpjegoj se pse e kam shkruar romanin “Komploti”. Shumica nuk e kishin lexuar ende dhe m’u desh të sqaroj se pse një nga ngjarjet kryesore të librit zhvillohen në Pogradec në vitin 2042.

Zakonisht qytetet e vogla shqetësohen kur i përmend nëpër libra. Ato duan që në rrugët e tyre të ndodhin dashuri të mëdha por jo ngjarje që mund të krijojnë dyshime, ndryshime dhe kaos.

Në të kundërt dje në Pogradec nuk pashë njeri të mërzitur nga “Komploti”. Iu përgjigja të gjitha pyetjeve për qytetin, personazhet, Shqipërinë, të ardhmen dhe të shkuarën. Askush nuk ma tha por ndoshta asnjeri nuk ra dakort me mua, se ndoshta pas 20 vitesh peshkatarët e Pogradecit mund të jenë sirianë apo egjiptianë siç ndodh sot në Durrës në industrinë e peshkimit.

Pogradecarët e kanë akoma peshkun kënaqësi familjare dhe nuk duan t’ua mësojnë këtë mjeshtëri të huajve. Kjo e bën Pogradecin një qytet të dashur dhe shumë të ngrohtë edhe kur është ftohtë.

Kur ika mendova se ka akoma vende ku mikpritja është një art kolektiv që i zbukuron qytetet më shumë se dekoret e festave dhe prandaj i falenderoj të gjithë ata që më ftuan dhe që erdhën në këtë takim shumë interesant.

Në romanin Komploti ka një personazh që luan me fjalën Po dhe Grad dhe e quan Pogradecin, Qyteti që thotë Po, apo Qyteti Pozitiv.

Ndoshta ka të drejtë. Me siguri ka të drejtë.