Kryeministri Edi Rama vlerësoi këtë të premte të gjithë personat që u angazhuan në shuarjen e flakëve gjatë muajit Gusht në vendin tonë. Ai falenderoi Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Emergjencat Civile, autoritetet lokale etj.

Nga baza ajrore e Farkës, përveç medaljeve, ai njoftoi rritjen e pagës për punonjësit e mbrojtjes civile që përballen më sfida që kërcënojnë jetën.

“Medalje e artë për forcën tokësore dhe dua tu them të gjithë trupave të emergjencave civile dhe duke filluar nga trupa e re e agjencisë kombëtare të mbrojtjes civile se ne do të bëjmë atë që duhet për të rritur pagën, që nuk do të jetë asnjëherë e mjaftueshme sepse nuk është e mjaftueshme askund kur cilido përballet me një sfidë që kërcënon jetën e tij, por sidoqoftë është një motiv më shumë, jo vetëm për të çuar në shtëpi më shumë të ardhura të merituara nga puna, por edhe për të ndjerë vlerësimin dhe respektin për punën që bën”.

Kreu i qeverisë u ndal gjatë në një pikë, zjarrvënësit. Ai u shpreh se personat që ndezin zjarre dhe shkatërrojnë “mushkëritë” e vendit dhe “vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë, mundimet, djersën, përkushtimin e shumë e shumë gjeneratave”.

Sipas Ramës, këta persona meritojnë të dënohen me burg dhe u shpreh se shpreson që gjykatat të japin vendimet e duhura. Kjo sipas kryeministrit do të bëjë që të parandalohen shumë ngjarje në të ardhmen pasi u jepet mesazhi atyre që mund të jenë zjarrvënës potencial.

“Nuk mund të rri pa theksuar aspektin kriminal të gjithë këtyre vatrave të zjarrit të cilat në një pjesë të madhe janë rezultat i rritjes dramatike të temperaturave, kudo në botë, por në një pjesë të konsiderueshme janë rezultat i barbarisë së atyre që me një shkrepëse, me një shishe benzinë vrasin shpirtin e atdheut, plagosin trupin e atdheut dhe hedhin në erë, mundimet, djersën, përkushtimin e shumë e shumë gjeneratave duke privuar nga qoftë edhe një qelizë e mushkërive të gjelbërta të këtij vendi, fëmijët e këtij vendi. Më vjen mirë që Policia ka pasur një aktivitet jo vetëm intensiv, por edhe rezultativ. Ka arritur të çojë prapa hekurave një numër jo të vogël barbarësh, të cilët nuk meritojnë të jenë të lirë mes komuniteteve dhe qytetarëve të këtij vendi. Meritojnë të kalben prapa hekurave dhe shpresoj shumë që gjykatat do t’i japin vendimet e duhura dhe uroj shumë që gjykatësit që do të japin këto vendime të jenë në lartësinë e dhimbjes për kaq shumë vlera natyrore të dëmtuara dhe për kaq shumë pemë, burime jete, të shkatërruara. Këto nuk janë pasuria e askujt individualisht, janë pasuria e të gjithëve bashkë dhe ato janë thesari që kemi detyrimin t’ua shtojmë dhe tua trashëgojmë fëmijëve tanë. Ky është një vendim që gjykatësit do t’a japin për fëmijët e tyre. Uroj të bëjnë gjënë e duhur dhe që këta  kriminelë barbarë jo vetëm të kalben në burg, por edhe të shërbejnë për t’u dhënë mesazh atyre që potencialisht mund t’u ngjajnë kur vjen vera e ardhshme”.

Dy persona humbën jetën si pasojë e flakëve në Shqipëri, por Rama tha se numri i viktimave mund të ishte më i madh, por u parandalua nga trupat shqiptare.

“Rritja e temperaturave në vetvete përbën potencial të lartë për zjarre dhe përmbytje, dora e njeriut të shtojë nga vetja për të vënë përpara një sfide gjithë këta prindër, për të vënë përpara një sfide gjithë këta bij e këta bija, prindër të këtij vendi dhe për të ndezur zjarre që shkojnë deri aty ku marrin edhe jetë. Falë trupave janë shpëtuar edhe jetë. Një tragjedi si ajo që përmendëm me humbjen e dy prindërve është shumë e madhe për fëmijët e tyre, por parafytyrimi se mund të kishin qenë shumë më tepër se kaq e bën revoltën dhe nevojën për ndëshkim të zjarrvënësve shumë më të madh”, u shpreh Rama.

Gjatë muajit Gusht në Shqipëri shpërthyen me qindra vatra zjarri duke krijuar situata të rrezikshme në disa zona të ndryshme të vendit. Një pjesë e vatrave ishin ndezur nga dora e njeriut dhe për këtë arsye janë arrestuar disa persona.