Fatura reale që shteti shqiptar duhet të paguajë nga buxheti i shtetit për vendimet e gjykatave ndërkombëtare ka arritur 388 milionë euro në fund të vitit 2020, evidentoi Kontrolli i Larte i Shtetit (KLSH) në një raport për Kuvendin e Shqipërisë.

Shteti shqiptar ka qenë i paditur në gjykatat e huaja ndërkombëtare dhe arbitrazhin ndërkombëtar në 14 çështje gjyqësore.

Nga këto rezulton se janë gjykuar dhe dhënë vendimet për 9 çështje ndërsa 5 prej tyre presin ende të shqyrtohen pranë këtyre gjykatave.

Për 9 çështjet e gjykuara rezulton se 5 çështje në vlerën 388,479,560 euro janë vendime në disfavor të Shtetit Shqiptar. Në 4 çështje në vlerën 10,651,257 euro janë rrëzuar pretendimet e palës paditëse, sipas KLSH.

Nga ana e saj, Ministria e Financave dhe Ekonomisë lidhur me detyrimin total të akumuluar për Arbitrazhet Ndërkombëtare raportoi një vlerë prej 109.5 milionë eurosh.

Në raportin vjetor të vitit 2020, nga Ministria e Financave raportohet se vlera e paguar për arbitrazhet më 2020 ishte vetëm 33.3 milion lekë dhe nuk jepet informacion për vendimet në pritje të nxjerrjes së VKM-ve si detyrime kontingjente për buxhetin e shtetit. KLSH raporton se, nga auditimi në këtë Ministri rezulton se ajo nuk ka informacion nga Kryeministria për këto vendime në pritje për pagesë.

Ndërsa në auditimin e kryer në Avokaturën e Shtetit, sa i takon vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), rezulton se deri më 31.12.2020 janë ende të pa ekzekutuara 7 vendime në vlerën 17,956,320 Euro dhe të paktën 1,675,938 Euro kamatëvonesa potenciale, të përllogaritura nga mospagesa në kohë.

KLSH ka konstatuar se për ekzekutimin e këtyre vendimeve, nuk janë zbatuar afatet 3 mujore sipas Ligjit për Avokaturën e Shtetit të ndryshuar.