Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, njëherazi i dërguari special në DASH për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, reagoi dje pas replikave mes ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe ambasadores së SHBA-së në vendin tonë, Yuri Kim. Escobar u shpreh se Yuri Kim është përfaqësuese personale e Presidentit të SHBA-së.

Sot Berisha u pyet nga mediat a është penduar për qëndrimin e tij ndaj diplomates Yuri Kim.

Pyetje: Gabriel Escobar u shpreh dje i tronditur ndaj qëndrimeve tuaja ndaj ambasadores Yuri Kim duke i konsideruar sulm ndaj presidentit Biden. Sot a jeni penduar për qëndrimet tuaja ndaj ambasadores amerikane dhe a tërhiqeni?

Sali Berisha: Mund tu garantoj se e kam shumë të qartë dhe kam respektin më të madh për ambasadoren kur ajo vepron në përputhje me përfaqësimin e Presidentit Joe Biden, sikundër s’mund të pajtohem kurrë me qëndrimet e saj kur vepron si guvernatore.

Cilido të veprojë pavarësisht kë përfaqëson si guvernator e në kundërshtim me konventën e Vjenës unë do e kundërshtoj e do e denoncoj.

Nuk mund të pajtohem me qëndrimet e Gurvenatores dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme për qeverinë e Edi Ramës. Shqiptarët duhet të jenë partnerë me SHBA po sovranë si njerëz të lirë që vendosin me votën e tyre të lirë.