Tre trajnerë nga katër, në gjysmëfinalet e Champions League, janë gjermanë. Një rekord absolut në historinë e kompeticionit europian më të rëndësishëm për klube. Ka ndodhur në Europa League, në sezonin 2010/11, kur rekordi u vendos nga Portugalia. Nuk mund të jetë një rastësi. Kampionati gjerman është kthyer në një laborator të vërtetë taktik i përparuar, atë që përfaqësonte futbolli italian dhe shkolla e Coverciano-s pak vite më parë.

Dhe të mendosh se organizimi i lojës ishte mendimi i fundit i gjermanëve kur flisnin për futboll. Wolfgang Frank, mësuesi i Klopp, dukej se ishte “delja e zezë” me dashurinë e tij për skemën 4-4-2 të Arrigo Sacchi-t. Më pas erdhi Rangnick dhe leksioni i tij i strategjisë së futbollit në televizionin kombëtar, një episod që ka zemëruar 90% të trajnerëve gjermanë akoma shumë të lidhur me traditën.

Megjithatë, në vitet e fundit, edhe për shkak punës së jashtëzakonshme të federatës që ka krijuar një shkollë të nivelit të lartë, niveli i përgatitjes së trajnerëve është rritur duke arritur në nivele maksimale. Shembulli kryesor është ai i Klopp, por janë të shumtë trajnerët që janë rritur duke ndjekur shembullin e trajnerit të Liverpool. Mjafton të mendohet për zëvendësuesin e tij te Borussia Dortmund, Tuchel, duke shfrytëzuar modën e re gjermane (presing i vazhdueshëm, pasime sistematike në vertikale dhe kundërsulme të shpejtë) ka marrë një telefonate nga Emirët e Parisit

Nagelsmann, më pas, është rasti më i bujshëm. Pa mbushur 30 vjeç ka ditur të krijojë mrekullinë Hoffenheim, duke e udhëhequr skuadrën deri në fazën paraeliminatore të Champions League, dhe atë të Leipzig që, pa Werner, arriti në gjysmëfinale falë një futbolli unik në botë, pa një sistem loje referues, që ndryshon strukturë në bazë të momenteve të lojës.

Më pas është Flick, njeriu që, duke zëvendësuar Kovac, ka krijuar një makinë të vërtetë lufte në Bavari. Pasi ka triumfuar në Bundesliga, ka turpëruar Barcelona-n me një provë force që ka kujtuar fitoren 7-1 të Gjermanisë kundër Brazilit në Botërorin e 2014-ës. Ndoshta  sepse Flick ka qenë i pranishëm edhe atëherë: ishte ndihmësi i trajnerit të Gjermanisë, Joachim Low.