Rishi Sunak është zyrtarisht Kryeministri i 57-të i Mbretërisë së Bashkuar pas takimit që zhvilloi me Mbretin Charles III dhe u ftua që të formojë qeverinë.

Sunak është kryeministri i tretë për Britaninë e Madhe gjatë një viti.

Takimi mes Mbretit Charles III dhe Kryeministrit të ri Rishi Sunak është një ceremoni simbolike që shënon dorëzimin e pushtetit. Charles III i kërkoi kryeministrit Sunak që të formojë qeverinë.

42-vjeçari është kryeministri më i ri në moshë në më shumë se 2 shekuj të historisë së Mbretërisë së Bashkuar. Ai është gjithashtu i pari Kryeministër që vjen nga minoritetet pasi origjina e tij është indiane.

“Së bashku mund të arrijmë gjëra të pabesueshme”, u shpreh ai pas marrjes së detyrës.

Sunak nënvizoi se është gati të udhëheqë vendin “në të ardhmen dhe të vendosë nevojat tuaja mbi politikën”, duke shtuar se ai do të ndërtojë një qeveri që “përfaqëson më të mirën e partisë”.

E marta ishte një ditë e rëndësishme ceremonish dhe fjalimesh për Sunak dhe paraardhësin e tij Liz Truss.

Në fjalimin e saj të lamtumirës, Truss tha se ka qenë një nder i madh të ishte kryeministre, duke renditur arritjet e saj si udhëheqëse e vendit.

Ajo i bëri thirrje pasardhësit të saj që të ulë taksat, të sigurojë rritje ekonomike dhe të përfitojë nga “liritë e Brexit”.

“Vendi ynë vazhdon të luftojë përmes një stuhie. Por unë besoj në Britaninë. Unë besoj në popullin britanik. Unë e di se ditë më të ndritshme janë përpara”, u shpreh ajo.