Ministri gjerman për Europën, Michael Roth, zhvillon sot një vizitë zyrtare në Shkup, ndërsa më pas do të vijë dhe në Tiranë. Njoftimin e bëri vetë zyrtari i qeverisë së kancelares, Angela Merkel.

“Është koha që Bashkimi Europian t’i përmbushë premtimet dhe të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruan Roth në një status në rrjete sociale.

Ai shton se “e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është europiane”, dhe kërkoi nga Brukseli të veprohet tani me vendosmëri që të mos lindin dyshime për këtë proces.

Ndërkohë, Komisioni Europian ka dhënë rekomandimet për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, por caktimi i datës është bllokuar nga Bullgaria. Qeveria në Sofje kërkon që më parë të adresohen çështjet e hapura me Maqedoninë e Veriut lidhur me kombësinë dhe gjuhën maqedonase.