Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë i bën thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen sa më parë nga Ukraina dhe të mos udhëtojnë drejt Kievit. Ky apel vjen në një kohë që SHBA-ja ka paralajmëruar se Rusia do ta pushtojë shumë shpejt atë, ndërsa ka reduktuar stafin e ambasadës në Kiev. Kjo lëvizje është pasuar edhe nga Rusia dhe Gjermania, Italia dhe vende të tjera, të cilat u kanë bërë thirrje stafeve diplomatike dhe qytetarëve të largohen nga Ukraina.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është duke ndjekur me kujdes zhvillimet pranë kufirit ukrainas. Duke marrë parasysh rrezikun e besueshëm të përshkallëzimit të situatës, MEPJ këshillon të mos udhëtohet drejt Ukrainës.  Gjithashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i bën thirrje shtetasve shqiptarë që të largohen nga Ukraina sa më parë”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme shqiptare, duke kujtuar numrat e telefonit të vënë në dispozicion për qytetarët e Republikës së Shqipërisë që ndodhen në Ukrainë.

Në pritje të telefonatës Biden-Putin mbrëmjen e sotme, situata në Ukrainë është e tensionuar, me deklarata dhe kundërdeklarata mes palëve për rrezikun e një lufte të mundshme.