Nuk është as Tropoja dhe as Tirana. Rudina Hajdari që garon nën siglën e Nismës “Thurje” ka vendosur të kandidojë në qarkun e Elbasanit, në vendlindjen e nënës së saj, Fatmira Hajdari.

“Miq, dua t’ju kërkoj sot mbështetje për një vendim të rëndësishëm që kam marrë së bashku me skuadrën lidhur me zgjedhjet e ardhshme.

Nëse beson te unë dhe te ekipi ynë të lutem merr pak kohë, më dëgjo, e na jep një dorë.

Ka ardhur koha që të gjithë të rebelohemi ndaj klasës së vjetër politike dhe kjo mund të ndodhë vetëm nëse ndihmojmë ata që marrin guximin të përballen…”, njoftoi Hajdari në faqen e saj Facebook.

Edhe Hajdari flet në emër të ndryshimit.

“Ndryshimi vjen nga njerëzit që kanë guximin të sfidojnë realitetin e hidhur dhe ne e kemi këtë guxim.

Kemi edhe gjithë energjinë për tu përballur me një klasë të kalbur politike e cila na ka vjedhur deri në palcë.

Eja bashkohemi!

Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur!”, shkruan ajo duke e përcjellë postimin e saj me një video 5 minutashe ku flet për shkollimin dhe më pas punësimin në SHBA, arsyet se pse ajo u përfshi në politikë dhe çfarë premton për qarkun e Elbasanit.