Një pjesëtar i zyrës së Komisionerit Oliver Varhelyi ka rezultuar pozitiv me koronavirus duke detyruar kështu vendosjen në karantinë të eurokomisionerit dhe zyrtarëve të tjerë.

Vetë Varhelyi, përgjegjës për zgjerimin dhe fqinjësinë e mirë, e përcolli lajmin përmes një postimi në Twitter.

“Jam njoftuar sot se një pjesëtar i skuadrës ka rezultuar pozitiv në një test për COVID-19. Në pritje të rezultatit, unë dhe pjesa tjetër e skuadrës të shqetësuar jemi vënë në karantinë në përmbushje të protokolleve dhe rregullave të shëndetit publik duke zhvendosur dhe punën. Ndihem mirë, nuk kam simptoma, rezultatet e testeve javën e shkuar kanë qenë negative. Qëndroni shëndoshë!” – shkroi Varhelyi.

Gjatë kësaj jave, komisioneri Varhelyi zhvilloi një tur vizitash në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë, ku pati takime me udhëheqësit e të gjitha vendeve.

Në këto takime ai përcolli progres-raportet vjetore të mbajtura nga KE dhe planin për rimëkëmbjen ekonomike të rajonit të mbështetur nga BE-ja.