Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë trupa në Europën Lindore në vendet e NATO-s brenda një kohe të shkurtër. Këtë deklaroi presidenti i SHBA Joe Biden kur u pyet nga gazetarët në lidhje me Ukrainën.

Rreth 8,500 trupa amerikane ishin vendosur në gatishmëri të shtuar në fillim të kësaj jave në Europën Lindore, duke përfshirë njësi me mbështetje mjekësore, mbështetje aviacioni, mbështetje logjistike dhe formacion luftarak, sipas një zëdhënësi të Pentagonit.

Ndërkohë gjenerali i lartë amerikan Mark Milley ka thënë se një pushtim rus i Ukrainës do të ishte i tmerrshëm dhe do të çonte në një numër të konsiderueshëm viktimash.

“Nëse do të sulmohet Ukraina do të rezultonte me një numër të konsiderueshëm viktimash. Lufta në zona të populluara urbane do të ishte e tmerrshme”, tha në një konferencë shtypi në Pentagon gjenerali Milley,i cili është oficeri më i lartë ushtarak i Presidentit amerikan Biden.

Gjenerali Milley e përshkroi vendosjen e 100,000 trupave ruse pranë kufirit të Ukrainës si më të madhin që nga Lufta e Ftohtë.

Në një konferencë shtypi në Pentagon të premten, gjenerali Milley, oficeri më i lartë ushtarak i presidentit amerikan Joe Biden, paralajmëroi se shkalla e forcave ruse pranë kufirit të saj me Ukrainën nënkuptonte se një sulm do të kishte pasoja të rënda.

Por Sekretari i Mbrojtjes i SHBA, Lloyd Austin tha se konflikti mund të shmanget ende përmes diplomacisë.

“Konflikti nuk është i pashmangshëm. Ka ende kohë për diplomaci. Nuk ka asnjë arsye që kjo situatë të kalojë në konflikt. Presidenti Putin mund të urdhërojë largimin e trupave të tij”, deklaroi Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Rusia mohon planet për të pushtuar dhe thotë se mbështetja e SHBA për Ukrainën është një kërcënim.