Sipas agjendës së vizitës të presidentit të Turqisë në Tiranë, pas ceremonisë së pritjes në aeroportin “Nënë Tereza” në orën 9:25, Erdogan do të vizitojë një familje në Laç rreth orës 10: 00, aty ku Turqia ka kontribuar për ndërtimin e disa banesave të shkatërruara nga tërmeti i vitit 2019.

Ceremonia e dorëzimit të shtëpive të ndërtuara pas tërmetit në Laç është parashikuar të zhvillohet në orën 10:20. Gjithashtu rreth kësaj ore do të zhvillohet edhe ceremonia e emërtimit të sheshit në Laç me emrin e Presidentit të Republikës së Turqisë.

Në orën 13:00, është parashikuar një takim mes Erdogan dhe kryeministrit Rama, ndërsa në orën 15:00, pas nënshkrimit të disa marrëveshjeve mes dy palëve është parashikuar edhe një konferencë për mediat.

Në orën 16:00 do të mbahet edhe ceremonia e inaugurimit të xhamisë së Et’hem Beut në Tiranë, të restauruar së fundmi, ndërsa në orën 17:00, Erdogan do të mbajë një fjalim përshëndetës në Kuvendin e Shqipërisë.

Cilat janë 7 marrëveshjet që pritet të firmosen me ardhjen e Erdogan?

Të hënën në vizitën e presidentit turk pritet të firmosen 7 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi.

1- Protokoll bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së arkivit shtetëror të Turqisë dhe drejtorisë se përgjithshme të arkivit të Shqipërisë.

2- Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe sporteve ndërmjet dy ministrive të dy vendeve.

3- Marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet agjencisë Anadolu dhe agjencisë telegrafike shqiptar.

4- Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë së Turqisë dhe Shqipërisë.

5- Memorandum mirëkuptimi në fushën e menaxhimit të fatkeqësive ndërmjet drejtorisë se emergjencave dhe ministrisë së brendshme të Turqisë.

6- Memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe ministrisë se jashtme të Shqipërisë për bashkëpunimin ne fushën e protokollit.

7- Protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë se Përgjithshme Shtetërore të Operës dhe Baletit dhe ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë dhe Ansamblit të Operës dhe Baletit te folklorit shqiptar.

Erdogan pritet të mbajë një fjalë në seancën e parë të sesionit të ri në Kuvendin e Shqipërisë dhe të dorëzojë banesat e ndërtuara me kontribut të qeverisë turke në Laç, të shkatërruara nga tërmeti i 26 nëntorit.