Këshilli i Rithemelimit, që u emërua dje në Kuvendin e PD të thirrur nga anëtarët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha, ka reaguar ndaj vendimit të Këshillit Kombëtar të PD-së për të shkarkuar anëtarët që iu bashkuan “Foltores”.

Sipas deklaratës së tyre, vendimet janë marrë nga persona që “përveç humbjes, nuk përfaqësojnë më asgjë në Partinë Demokratike vijojnë të përdorin simbolet godinën dhe disa anëtarë, me shpresën se do vazhdojnë pazaret në kurriz të demokratëve. Ju bëjmë me dije se më 4446 vota Kuvendi Kombëtar vendosi për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar dhe që prej ditës së djeshme ai ka humbur çdo funksion tjetër përveç atij të deputetit”.

Sipas këtij Këshilli, bëhet fjalë për një “tallava” e Lulzim Bashës, të cilën e ka bojkotuar shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar. Vetë mbledhja e Këshillit Kombëtar sipas tyre duhet cilësuar si “nul, e paligjshme dhe çdo produkt i dalë prej saj është në kundërshtim me frymën dhe vendimet e Kuvendit Kombëtar si organi më lartë i Partisë Demokratike”.

Sipas tyre, nga dita e djeshme “simbolet dhe logoja e Partisë Demokratike është rikthyer tek origjinali mbi të cilin u hartua para 31 viteve. Nga dje çdo dokument zyrtar i PD që mbart si logon e vjetër është i pavlefshëm”.

Këshilli i Rithemelimit, që mbështet Berishën, i përgjigjet edhe akuzave të Bashës që e cilësoi nismën si antiamerikane, duke theksuar se “rithemelimin e Partisë Demokratike është lëvizja më pro amerikane, pro perëndimore dhe pro demokratike që ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri pas dhjetorit 1990 pasi ne themel te saj qëndrojnë vota e lirë dhe respekti për statutin e PD. Kurrë më në PD nuk do të shiten dhe blihen mandatet e deputetëve! Nga sot e tutje ato do vendosen me transparencë të plotë nga vota e anëtarësisë së saj përmes primareve”.