Një gjykatë në Hagë i bëri thirrje qeverisë holandeze se ora policore e vendosur për të “penguar” përhapjen e koronavirusit duhet të hiqet menjëherë pasi shkel të drejtën e lëvizjes së lirë.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, ora e ndalimit të qarkullimit prej 21:00 të mbrëmjes deri në 04:30 u vendos nga një ligj emergjent kur nuk kishte asnjë “emergjencë akute”.

Ky vendim tashmë konsiderohet si një fitore për mbështetësit e grupimit (E Vërteta e Virusit).

Megjithatë, kryeministri Mark Rutte iu bëri thirrje qytetarëve të ndiqnin rregullat e vendosura të orës policore, edhe pse ministrat nuk arritën të ndalonin heqjen e saj.

Qeveria i kërkoi gjykatës të pezullojë vendimin e saj derisa të dëgjohet dhe verdikti i Apelit për këtë çështje në fund të javës.

Për disa ditë me radhë në Holandë u regjistruan protesta të dhunshme, kur qeveria vendosi izolimin pas orës 21:00.