Autoritetet franceze bënë me dije se do të vendosin në dispozicion për dhjetë vitet e ardhshme një plan shëndetësor prej 19 miliardë eurosh.

Farmacistët kishin ngritur shqetësime për çështje të ndryshme shëndetësore. Ata po përgatiten të marrin pjesë në procesin e vaksinimit në vend.

Duke nisur nga 15 marsi grupmoshat nga 50-74 vjeç edhe me histori shëndetësore do të mund të vaksinohen edhe në farmaci jo vetëm tek mjekët e tyre. Përpara çdo injektimi do të plotësohet një formular mbi gjendjen shëndetësore. Nuk do të jetë e nevojshme një rekomandim, por farmacistët janë ata që mund të japin receta vaksinimi sigurisht nëse plotësohen të gjitha kushtet

Nga ana tjetër në Danimarkë së shpejti nis testimi tek njerëzit i vaksinës anti-COVID, një prodhim vendas. Ajo do të quhet “Adaptvac”.

Fillimisht do të injektohen 42 vullnetarë. Duket se kjo vaksinë ka disa avantazhe, thuhet se siguron mbrojtje më të gjatë sesa vaksinat e tjera që po përdoren, por një gjë e tillë duhet të konfirmohet nga provat.

Izolimi vijon të mbetet një nga armët kryesore kundër virusit dhe Estonia ka vendosur të përforcojë kufizimet duke i kërkuar restoranteve të mbyllen ndërkohë që shkollave u është kërkuar të nisin mësimin online.

Në dy javët e fundit është raportuar për 1300 raste te infektuar me COVID-19 për 100 mijë banorë, dy herë më shumë nga shifrat e një muaji më parë. Një javë më parë dyqaneve dhe bareve iu kërkua të mbyllen gjatë fundjavave. Masat e reja kufizuese hyjnë në fuqi të enjten.

Ndërkaq, këtë verë Greqia do të mirëpresë turistët që janë vaksinuar, kanë krijuar antitrupa apo rezultojnë COVID negativë. Turizmi është një nga sektorët kyç të ekonomisë së shtetit fqinj i cili ka shtuar thirrjet në Bashkimin Europian se certifikata e vaksinimit do të zhbllokonte lëvizjen. Greqia synon të nisë sezonin turistik në mes të muajit maj.