Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, për të nxitur më shumë dialog mbi politikat në sektorët kyç, Coplan, Instituti për Zhvillimin e Habitatit dhe West Minster Foundation for Democracy organizuan forumin kombëtar “Qeverisje për ndryshim: propozime të shoqërisë civile”.

Përgjatë këtij eventi, aktorët e shoqërisë civile bënë propozime konkrete për përmirësimin e situatës gjatë sesioneve me tematika të caktuara, si ekonomia; qeverisja dhe demokratizimi; shëndeti dhe siguria ushqimore; të drejtat e njeriut, rinia, kultura dhe arti.

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca mbështeti këtë aktivitet, si hera e parë që shoqëria civile shqiptare ka mundësinë të paraqesë prioritetet te partitë politike parazgjedhjeve.

“Fushata zgjedhore nuk do të thotë që kandidatët të flasin me njëri-tjetrin, por me qytetarët. Duam të dëgjojmë për tema që nuk janë pjesë e fushatës. Kërkesat e të rinjve për fushatën zgjedhore është një çështje që unë dua të promovoj.

Shoqëria civile është një urë që lidh politikën me qytetarët. Shoqëria civile duhet të jetë një pjesë aktive e procesit të vendimmarrjes).

Në fund të procesit, Coplan dhe West Minster Foundation for Democracy, në bashkëpunim me partnerët që kontribuojnë në forum, do të hartojnë një dokument final, bazuar në të gjitha propozimet e paraqitura. Ky dokument do të ndahet me të gjithë aktorët politikë, si një përpjekje për të influencuar agjendën dhe programet elektorale.