Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla, foli këtë të enjte nga foltorja e Kuvendit për vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për shpalljen “non grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Balla tha se ai vendim nuk duhet komentuar. Sipas kreut të socialistëve në parlament, drejtësia duhet që të bëjë detyrën e vet.

“Kushdo politikan që është munduar të pengojë çuarjen përpara të Reformës në Drejtësi besoj që rasti i djeshëm është një rast kuptimplotë i sjelljes sipas legjislacionit përkatës të vendeve aleate të Shqipërisë, për t’u marrë në konsideratë. Mendoj që edhe pse këtu në këtë sallë sot u risoll vendimi i djeshëm i Sekretarit të Shtetit Blinken, le ta lëmë aq të bukur si është vendimi i sekretarit dhe të mos hyjmë në asnjë lloj komenti dhe nuance të atij vendimi sepse është aq i bukur sa është ai vendim dhe aq i rëndësishëm siç është ai vendim. Secili ta lexojë ashtu siç është vendimi. Mendoj që ne duhet të kuptojmë që SHBA kanë zgjedhur këto lloj instrumentesh për t’i dhënë mesazhe vendeve përkatëse, demokracive përkatëse. Nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri. Mbaj mend para pak kohësh që kryetari i parlamentit në Rumani u përcaktua nga Sekretari paraardhës i Shtetit për të qenë edhe ai pjesë e kësaj liste të zezë të SHBA-ve dhe që ne duhet që ta respektojmë si të tillë. Natyrshëm që drejtësia duhet të bëjë detyrën e vet. Në fund të fundit janë çështje që i takojnë drejtësisë dhe drejtësia nga ato që janë bërë publike, unë jam një nga ato persona që kam dërguar një kallëzim në prokurori për korrupsion ndaj Sali Berishës dhe shpresoj që drejtësia të bëjë detyrën e vet pa asnjë lloj ndërhyrje politike në paanshmëri të plotë. Ajo që duhet të besojmë të gjithë është që para drejtësisë duhet të jemi të gjithë të barabartë. Ky Kuvend dhe kjo legjislaturë ka një meritë të veçantë se kur është diskutuar dhe kur kemi pasur ligje apo vendime që kanë të bëjnë me çuarjen përpara Reformës në Drejtësi unë ju jam shumë mirënjohës për gjithë mbështetjen që i keni dhënë”.

Balla foli edhe për Reformën në Drejtësi. Ai u shpreh se tashmë të gjitha institucionet janë ngritur, megjithatë i bëri thirrje KLGJ-së dhe KED që të përshpejtojnë punën për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit, sipas Ballës, duhet të ketë kuorumin e nevojshëm prej 9 anëtarësh pasi do t’i dërgohet vendimi për shkarkimin e Presidentit Meta nëse Komisioni Hetimor gjen shkelje.