Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 39-vjeçar pasi dyshohet se shpërndante drogë në kryeqytet dhe në Durrës, ndërsa i janë sekuestruar edhe 400 gramë kokainë.

Policia bën të ditur se në pranga është vënë shtetasi Gj. Gj., 39 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

“Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi prej 200-500 gramë, në zonën e Shijakut, e ndante në porcione nga 10 gramë deri në 100 gramë, të cilat më pas i shiste me shumicë në zonën e “Bulevardit të Ri”, në ish-Stacionin e Trenit dhe në zonën e “Zogut të Zi“, në qytetin e Tiranës, po ashtu në Durrës dhe në Shijak, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj për gramë. Klientët që blinin lëndën narkotike i priste në stacione autobusësh, për të mos rënë në sy. 39-vjeçari e kryente këtë aktivitet kriminal dy herë në javë”, bën të ditur policia.

Në vijim të operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 400 gramë kokainë, një sasi dozash me kokainë, 1 aparat celular dhe 1 automjet me të cilin lëvizte ky shtetas.