Nëse ju bie rruga për nga “Myslym Shyri”, apo kudo ku vitrinat e dyqaneve me veshje të bukura na entuziazmonin dikur, përpara se të na kaplonte koronavirusi, një pjesë e tyre janë mbyllyr, të tjerë kanë vendosur tabelat e uljeve deri në 70-80% sepse veshjet u takojnë sezoneve të kaluara.

Ata të thonë se për shkak të pandemisë nuk kanë arritur të furnizohen dot jashtë kufijve.

Këtë e konfirmon Florian Zekja nga Pro Export Albania.

Ai shpjegon për gazetën “Si” se tregtarët e butikëve furnizimin e kanë pasë bërë me çanta duke udhëtuar si individë, jo si tregtarë.

“Me bllokimin e lëvizjeve, këta tregtarë nuk mund të shkojnë jashtë; Turqi, Itali e gjetkë. Prandaj tregu është në vështirësi për veshje. Dhe ne duam të potencojmë tekstilet dhe këpucët Made In Albania”- thotë Zekja.

Por që janë në shumë vështirësi sipas tij. Vetëm në 10 muajt e parë të 2020-ës për shkak të sitautës së krijuar nga  pandemia globale, sektori fason ka humbur 26.5 milionë euro nga eksportet.

Pasiguria dhe paqartësia që ka përfshirë gjithë globin për shkak të situatës epidemiologjika që i ka dhënë efektet negative si në politikë dhe në ekonomi, ka bërë që sektori fason të ndjehet në udhëkryq.

“Ne jemi një pjesë shumë e vogël që jemi përshtatur situatës. Pra që kemi investuar, me humbje për të diversifikuar prodhimin; nga moda tek maskat dhe veshjet njëprdorimshme mjekësore apo edhe veshjet e punës. Pjesa tjetër nuk mundet sepse nuk kanë likuiditet për shkak se sektori i modës ka marrë tatëpjetën dhe nuk dimë se kur do të mbarojë kjo situatë. Nëse investojnë me borxhe a kredi, pas disa muajsh rikthehet moda, duhet të ribëjnë investimin nga e para. Prandaj sektori ynë ëshët në vështirësi të jashtëzakonshme dhe në udhëkryq për të vepruar”- shpjegon Zekja.

Sipas tij, ky sektor shpëtohet vetëm me politika stimuluese qeveritare duke potencuar dhe shtuar prodhimet “Made in Albania”.

Biznes fason

Zekja zbulon për gazetën “Si” se Shoqata Pro Export Albania po bashkëpunon me Ministrinë e Financave, atë të Sipërmarrjes dhe Ministrinë e Jashtme në tre drejtime; “Me Financat po përpiqemi të profilizojmë Garancinë e Ardhshme Sovrane që do të jetë enkas për eksportet. Me Ministrinë e Sipërmarrjes po bashkëpunojmë për të hartuar projekt grante për prodhimet “Made in Albania” dhe Ministrinë e Jashtme për të promovuar këto produkte në të gjitha vendet me potenciale ku ka ambasada shqiptare. Ne kemi përgatitur një broshurë promovuese”.

Sipas Zekjës vetëm në këtë mënyrë të dilet nga tuneli i errët, sepse moda është një ëndërr shumë e largët tashmë. Ofertat aktuale janë për veshje njëprdorimshe dhe veshje pune, por që kapacitetet pritëse në Shqipëri mungojnë për shkak të problematikave të cituara më sipër.

COVID-19 dëmtoi rëndë eksportet

Të dhënat zyrtare, ato të INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se në tremujorin e dytë pandemia Covid-19 pati ndikim të thellë mbi tregtinë e jshatme, veçanërisht tek eksportet. Si eksportet ashtu edhe importet u pakësuan ndjeshëm. Në rastin e eksporteve, rënia vjetore shënoi 49.9%. Impakti kryesor erdhi nga rënia e thellë e eksportit të shërbimeve (57.7%) shkaktuar nga pakësimi i ndjeshëm i udhëtimeve. Paralelisht me të, rënia e kërkesës botërore ka shkaktuar një tkurrje me 23.3% të eksportit të mallrave. Në të njëjtën kohë, importi i mallrave dhe shërbimeve u pakësua 36.0% krahasuar me një vit më parë. Edhe në këtë rast ka qenë rënia e shërbimeve (67.9%) që dha ndikimin kryesor në tkurrjen e importeve. Rënia e kërkesës së brendshme solli rënie me 18.7% të importit të mallrave dhe ngushtimin me 9.9% në terma vjetorë të deficitit tregtar.

Të dhënat për tregtinë e mallrave në tremujorin e tretë tregojnë se si eksportet ashtu dhe importet mbeten nën nivelet e një viti më parë. Megjithatë, ato shfaqën shenja rikuperimi krahasuar me tremujorin e dytë të vitit, pas lehtësimit të masave kufizuese për shkak të pandemisë. Rënia vjetore në eksporte ka qenë më e madhe sesa ajo në importe, por pesha më e madhe që zënë importet në bilancin tregtar, bëri që deficiti gjatë këtij tremujori të ngushtohet me rreth 3.5% në terma vjetorë.

Eksportet e mallrave u pakësuan me ritme më të zbutura (5.0%) gjatë tremujorit të tretë. Kategoria që ka udhëhequr rënien ka qenë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, duke reflektuar kryesisht rimëkëmbjen e dobët të kërkesës dhe çmimeve ndërkombëtare të naftës dhe tekstile.

Nga ana tjetër, kontributet pozitive kanë ardhur nga kategoritë “Ushqime, pije, duhan” dhe “Materiale ndërtimi dhe metale”. Ashtu si eksportet, rënia vjetore e importeve të mallrave në tremujorin e tretë (4.1%), rezultoi më e përmbajtur se sa në tremujorin e dytë. Rënia ka qenë me bazë të gjerë, duke reflektuar kërkesën e dobët vendase. Kontributet negative më të thella i kanë dhënë kategoritë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Tekstile” dhe “Ushqime, pije, duhan”. Kontribut pozitiv ka shënuar kategoria “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, duke sugjeruar për një rimëkëmbje të mundshme të aktiviteteve me natyrë investimi.

Për sa i përket partnerëve kryesorë tregtarë, eksportet me Italinë vazhduan të ishin në rënie edhe gjatë këtij tremujori (-4.5%). Kontribute negative në eksporte kanë dhënë edhe partnerë si Spanja, Kina. Nga ana tjetër, eksportet me Greqinë dhe Turqinë kanë shënuar rritje krahasuar me një vit më parë. Në rastin e importeve, Italia, Greqia dhe Serbia kanë vazhduar të ndikojnë pakësimin e tyre, ndërsa importet nga Turqia kanë dhënë kontribute pozitive gjatë këtij tremujori./SI