Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) kërkon që Redjan Rrajës t’i konfiskohen pasuritë.

Në kërkesën që i ka dërguar GJKKO-së, SPAK thotë se 9 pasuritë e Redjan Rrajës duhet t’i kalojnë shtetit në pronësi.

Disa prej pronave për të cilat kërkohet konfiskimi, janë në emër të personave të tjerë, por SPAK thotë se zotërohen nga 37-vjeçari Redjan Rraja.

Sipas SPAK, pronat për të cilat kërkohet konfiskim janë:

1-Pasuria apartament, me sipërfaqe76 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja; 2-Pasuria, me sipërfaqe 30 m2, njësi (Tiranë), regjistruar në emër të shtetasit R. Rraja; 3-Pasuria njësi me sipërfaqe 127.5 m2 (Tiranë), e regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja; 4-Pasuria garazh me sipërfaqetotale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që është në zotërim të tërthortë nga shtetasi R. Rraja; 5-Pasuria garazh me sipërfaqe totale 18.09 m2 (Tiranë), regjistruar në emër të shtetases M. Ç. por që gjendet në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja; 6-Automjeti me ngjyrë gri të tipit Audi, A8, sekuestruar shtetases K. K. por që është në zotërim të tërthortë të shtetasit R. Rraja; 7-Automjeti me targë Audi A8, regjistruar në emër të R. Rraja; 8-Një orë dore Roleks dhe 9-shuma e parave prej 2750 Euro.

Këto pasuri janë sekuestruar me vendimin nr.22 datë 23.10.2021 të Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Redjan Rraja është i pandehur nga SPAK për atentatin që ndodhi më 1 Nëntor 2019 në autostradën Tiranë-Durrës, ku mbetën të plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Laho, ndërsa humbi jetën Andi Maloku, shoferi i prokurorit.

Në dosjen e SPAK, akuzohen Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj për vrasje e funksionarëve publik e mbetur në tentativë, vrasje në rrethana cilësuese me pasojë vdekjen, vrasje e mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe vjedhje të kryer në bashkëpunim.

Por Redjan Rraja i ka mohuar akuzat për përfshirje në atentatin ndaj prokurorit Ndoja, duke thënë se nuk ka lidhje me këtë ngjarje.