Mësimi në universitete është shtyrë me një javë, njoftoi ministrja e Arsimit, Evis Kushi. Sipas saj, ky vendim është marrë me kërkesë të Konferencës së Rektorëve.

“Viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve”, tha Kushi përmes një postimi në Facebook.

Ajo shtoi se java e ardhshme është shpallur si “Java e vaksinimit masiv të studentëve”.

“Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t’u lutesha me gjithë zemër e do t’i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm. Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë”, tha ministrja.