Kancelarja gjermane Angela Merkel refuzoi thirrjet për të caktuar një datë për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

“Unë nuk besoj vërtet në caktimin e datave, besoj në përmbushjen e premtimeve tona. Pasi të plotësohen kushtet, pranimi mund të bëhet”, u tha Merkel gazetarëve pas samitit të BE -së për Ballkanin në Slloveni.

Sipas saj caktimi i një afati do ta vendoste BE-në nën presion, pavarësisht nëse Ballkani Perëndimor i plotësonte kushtet e përcaktuara nga blloku i 27 vendeve.

Në konferencën për shtyp, kancelarja gjermane theksoi gjithashtu se deri më tani nuk mund të ketë ndonjë pranim, sepse asnjë vend nuk ka plotësuar kushtet.

Nuk zhbllokohet zgjerimi në Samitin e Sllovenisë

Zhbllokimi i negociatave të anëtarësimit nuk ndodhi as në samitin e përbashkët mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Liderët e Unionit konfirmuan angazhimin ndaj rajonit, por nuk arritën të bindin Bullgarinë për të lejuar mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vendet anëtare i bënë thirrje Sofjes që të sheshojnë mosmarrëveshjet me Shkupin dhe gjejnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjet e hapura. Liderët e BE-së dhe ata të Ballkanit Perëndimor nënshkruan dhe një deklaratë të përbashkët, ku përshëndetet përkushtimi për t’i dhënë prioritet demokracisë, të drejtave dhe vlerave themelore si dhe sundimit të ligjit, po ashtu luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ndër të tjera ofrohet mbështetje për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për të gjetur një marrëveshje finale për normalizimin e raporteve mes shteteve, gjë e cila shikohet kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit. Sa i përket pandemisë, ofrohet ndihmë në furnizimin e ma vaksina dhe pajisje të tjera mjekësore.