Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e kësaj të shtune në qytetin bregdetar të Durrësit. Një person është vrarë me armë zjarri në një ndër zonat më të frekuentuara të qytetit. Viktima është Edmond Koçi, 40 vjeç. Ai njihet edhe me emrin Mond Çekiçi dhe është një person i njohur për lidhjet e tij me krimin.

Çekiçi ka qenë pjesë e bandës së Lulzim Berishës, ndërkohë që është dënuar më parë nga drejtësia për krime të ndryshme. 40-vjeçari u qëllua nga persona ende të paidentifikuar.

Viktima po udhëtonte me shoferin e tij në momentin e ngjarjes. Autorët i kanë prerë rrugën me një mjet tjetër. Kur shoferi i Çekiçit ka dalë nga makina, edhe autorët kanë dalë menjëherë nga mjeti i tyre dhe kanë ekzekutuar 40-vjeçarin.

Disa momente më vonë, Policia e Durrësit njoftoi se është gjetur një mjet i djegur tip “Benz” në Sukth. Kjo makinë dyshohet të jetë përdorur nga autorët për këtë ngjarje të rëndë.

Policia ka nisur hetimet dhe pista e parë që po hetohet është ajo e larjes së hesapeve për shkak të së shkuarës kriminale të Mond Çekiçit.